Historia e çiftit kosovarë që dyshuan se ishin prekur me koronavirus
Një çift nga Prishtina në mesditën e së shtunës ishte paraqitur pranë Klinikës Infektive të QKUK’së me dyshimet se ishin prekur nga virusi kinez koronavirus. Dyshimet e këtij çifti për prekjen me koronë kishin ardhur pas vizitës që kryefamiljari e kishte pasur në Itali nga data 16 e deri në 19 janar. Ai po ashtu kishte qëndruar në njërin nga qytetet italiane në një depo me mallra kineze. Express sjell në vazhdim gjithë historinë e këtij rasti si dhe deklaratën e mjekut i cili i pari i ka pritur dhe trajtuar këta dy pacientë. Rezultatet e tyre dolën negative. Pra nuk janë prekur me koronë.
Një person i moshës 48-vjeçare nga Prishtina gjatë javës së kaluar kishte qëndruar në Itali, saktësisht kishte vizituar qytetet Romë, Firence dhe Bari. Ky person kishte shkuar atje për biznes. Ndërkohë gjatë qëndrimit në njërën nga depot kishte hasur në mallra kineze.
Por me t’u kthyer në Kosovë, 48-vjeçari bashkë me gruan e tij 45-vjeëare patën dyshime se janë prekur nga virusi kinez, kloronavirusi. Panik ata morën edhe pas lajmeve se Italia u kaplua nga ky virus.
Çifti nga Prishtina rreth orës 8:30 të natës së shtunë shkuan në Klinikën Infektive të QKUK’së. Detaje për këtë çift dha mjeku i QKUK’së, infektologu Valbon Krasniqi. Ai ka qenë i pari dhe i vetmi që i ka trajtuar këta dy persona.
Ai ka dhënë më shumë detaje rreth këtij rasti.
“Bëhet fjalë për një çift nga Prishtina. Arsyet përse kanë ardh për analizë dhe dyshimet për virusin koronë është se bashkëshorti nga data 16 deri në 19 të këtij muaji ka qëndruar në Itali, saktësisht në qytetet si Romë, Firence dhe Bari dhe prej aty, burri është kthyer me datë 19 për në Kosovë përmes portit të Durrësit”, ka sqaruar infektologu i QKUK’së.
Ai thotë se personi në djalë kishte vizituar në Itali edhe një depo me mallra kineze si dhe shpjegon për simmtomat me të cilat këta dy persona kishin shkuar në Infektivën e QKUK’së.
“Deri sa ka qenë atje ai ka vizituar edhe depot ku kanë qenë mallrat kineze. Në bazë të kësaj anamneze ai ka ardhë tek ne. Djegie në gjoks dhe mandej kanë pas frikën”, sqaron tutje doktori.
Ai thotë se para dy javëve këta dy persona kishin pasur grip. E në Klinikë këta të njëjtit kanë shkuar aty me me simptoma të zakonshme, pa temperaturë.
Tutje, infektologu, Valbon Krasniqi thotë se rezultatet për këta dy persona kanë dal negative, pra nuk kanë koronavirus. Dhe të njejtit janë liruar nga shtëpia rreth orës 1 të mesnatës.
E ndërkohë për rastin kanë folur edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Nga ky institucion shëndetësor bëjnë me dije se pacientet kanë pasur ethe, kollë të thatë të rrallë, lodhje dhe molisje dhe pengesa në frymëmarrje.
“Dy pacientët u vizituan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK të cilëve iu morën mostrat për testim laboratorik në Coronavirus SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B. Mostrat për testim janë sjellë në laborator të Instituti Kombëtar dhe kanë hy menjëherë në punë. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në koronavirus COVID-19 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR te dy pacientë. Testi ka përfunduar në ora 00.30 pas mesnate dhe ka rezultuar negativ për të tri analizat, domethënë të dy pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 dhe as me influenza A dhe B”, thuhet në komunikatën e IKSHP’së.
Ndërkohë këto raste e çojnë në tre numrin e personave që u dyshuan se kanë koronë në Kosovë. Fatmirësisht ende asnjë rast nuk është vërtetuar si pozitiv.