Zbulohet oksigjen në një galaktikë shumë të largët
Për herë të parë në historinë e shkencës, astronomët kanë identifikuar oksigjen molekular në një galaktikë jashtë Rrugës së Qumështit. Ky zbulim u bë nga një ekip astronomësh në Vëzhguesin Astronomik të Shangait, i udhëhequr nga Junzhi Wang.
Ky ekip e identifikoi praninë e oksigjenit molekular përmes analizimit të valëve të dritës që arritën në tokë nga galaktika “Markarian 231”, e cila ndodhet rreth 581 milionë vjet drite larg planetit tonë.
Si për ironi, prania e oksigjenit në atmosferën tonë tradicionalisht e ka bërë të vështirë marrjen e të dhënave të sakta nga valët e dritës që vijnë prej galaktikave të largëta.
Valët e dritës nga galaktika “Markarian 231”, erdhën nga një objekt i ngjashëm me objektet yjore, i njohur si QSO.
Këto objekte duken sikur yje, por lirojnë dritë të ndryshuar, që udhëton me frekuencë më të ulët se drita e zakonshme, shkruan “Daily Mail”.
Matja e valëve të dritës u bë në dy lokacione të ndryshe. Në njërin lokacion u përdor një teleskop në Granada të Spanjës, ndërsa në tjetrin një teleskop në Alpet Franceze.
Sipas këtyre matjeve, shkencëtarët besojnë se në galaktikën e largët mund të ketë 100 herë më shumë oksigjen sesa në Rrugën e Qumështit.