Leci, jashtëligjshëm ushtron detyrën e Kryeinspektorit të Punës
Pozita e Kryeinspektori të punës është duke u mbajtur jashtëligjshëm me ushtrues detyre që nga shtatori i vitit të kaluar.
Si ushtrues detyre në këtë pozitë, është caktuar Valon Leci.
Kjo, pasi që ish-kryeinspektori Basri Ibrahimi, në fund të majit të vitit të kaluar, është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i “Trepçës”.
Bazuar në Ligjin për shërbyes civilë, një pozitë nuk mund të mbahet me ushtrues detyre më shumë se 3 muaj, shkruan sot “Koha Ditore”.
Konkursi për këtë pozitë ishte hapur nga Ministria e Administratës Publike e qeverisë së kaluar, por ishte anuluar pasi që Ligji për shërbyes civilë, bazuar në të cilin ishte hapur, ishte shfuqizuar nga Ligji për zyrtar publikë.
I njëjti ishte kthyer prapë në fuqi, pasi që Ligji për Zyrtarë Publikë, është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.
Por, procedurat e konkursit për kryeinspektor nuk kanë vazhduar më, pasi që vendi ka shkuar në zgjedhje.