Osmani: Për reciprocitetin do të gjejmë një modalitet të përbashkët me SHBA-në
Partnerët e koalicionit qeverisës janë në kërkim të modaliteteve për përafrimin e qëndrimeve të kundërta rreth masës së reciprocitetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Diplomatët amerikanë janë duke i bërë presion të madh Qeverisë së Kosovës për heqjen e menjëhershme të taksës dhe njëkohësisht po e kundërshtojnë vendosjen e reciprocitetit të plotë me Serbinë, të paralajmëruar nga kryeministri Albin Kurti, shkruan “Koha Ditore”.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë gazetës se janë në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara për gjetjen e një modaliteti të përbashkët sa i përket reciprocitetit.
“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në fund do të gjejmë një modalitet të përbashkët, i cili është në interes të vendit tonë, në interes të mbrojtjes së miqësisë me Shteteve të Bashkuara dhe rolit të tyre në këtë proces. Është në interes të dialogut dhe të realizimit sa më të shpejtë të një marrëveshjeje që është juridikisht e obligueshme dhe në të njëjtën kohë me njohje reciproke”, ka deklaruar Osmani.