Kadaj-Bujupi kërkon shkarkimin e Glauk Konjufces
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj – Bujupi, e ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës lidhur me çështjen e (mos) njohjes nga Xhamajka, duke thënë se këto dy parti po fshihen pas të tjerëve për dështime.
Thotë se në një situatë të ngjashme, por para ardhjes në pushtet, VV-ja e LDK-ja do të thoshin “Çfarë kuptimi ka shkarkimi i ambasadores, nëse fillimisht nuk jep dorëheqje Ministri i Jashtëm”.
“Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë ardhur në pushtet me premtimin se nën qeverisjen e tyre do të instalojnë logjikë llogaridhënëse. Mirëpo amaterizmi profesional i shprehur me çështjen Xhamajka flet ndryshe”, shkruan deputetja Kadaj – Bujupi.
Ajo përmes një postimi në Facebook, thotë se “prej mobilizimit të aparatit propagandues në rrjete sociale për marrjen e meritave se njohja erdhi si rezultat i qeverisë së re, kaluan tek shmangia e përgjegjësisë”.
“Çfarë kuptimi ka shkarkimi i ambasadores, nëse fillimisht nuk jep dorëheqje Ministri i Jashtëm, do të thoshin dikur VV dhe LDK para ardhjes në pushtet. Përgjegjësia e ambasadores nuk shkon vetëm. Rrahagjokësi për merita dhe fshehje pas të tjerëve për dështimet”, përfundon Kadaj – Bujupi.
Kujtojmë se Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka thënë se për njohjen nga Xhamajka u informuan nga ambasadorja Vlora Çitaku. Por, paralajmëroi masa rreth (mos) njohjes nga Xhamajka.
Por, i pari që dha lajmin për njohjen e Kosovës nga Xhamajka, ishte presidenti Hashim Thaçi, i cili kumtoi përmes Twitterit. Ai shkroi se u njoftua nga ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
Megjithatë, KOHA ka parë komunikimet e brendshme të njoftimeve rreth kësaj njohjeje. Në to, ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku, u kishte sugjeruar institucioneve në Prishtinë që të mos publikojnë këtë informacion pa marrë notën verbale.
Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, duhet të mbahet përgjegjëse dhe të japë llogari nëse informata për njohjen nga Xhamajka nuk është e vërtetë. Nëse sipas saj Xhamajka vërtetohet se nuk e ka njohur Kosovën, ajo duhet shkarkohet menjëherë.
Publikimi i lajmit nga presidenti nxiti reagimin e autoriteteve xhamajkane./FaktePlus