Kontrabandonin peshk të ngrirë e mish derri, Policia e Kosovës arreston tre persona
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit DHKEK ka arrestuar tre persona, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘kontrabandim me mallra’ neni 311 dhe ‘dhënie e ryshfetit’ neni 422 i KPK-së.
Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Polici në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, kanë filluar hetimet për këtë rast, që nga data 4 tetor 2019, duke zbatuar masa të veçanta hetimore, me qëllim të nxjerrjes së provave dhe dëshmive për të dyshuarit e përfshirë në veprat penale.
Pas grumbullimit të provave të nevojshme, me datën 20 shkurt 2020, Policia e Kosovës ka realizuar operacionin policor, me ç’rast janë kapur në flagrancë tre persona të dyshuar duke kontrabanduar mallra.
Personat e arrestuar lidhur me këtë rast janë:
- B.J. lindur me 1971
- I.J. lindur me 1974
- A.J. lindur me 1999
Me urdhër të Gjykatës Themelore Ferizaj janë kontrolluar vendbanimet e personave të dyshuar, ku janë gjetur dhe janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e paketimeve të peshkut të ngrirë dhe mishit të derrit, si dhe janë sekuestruar edhe dy automjetet me të cilat janë kontrabanduar mallrat.
Ndaj të dyshuarve është zbatuar masa e ndalimit me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore./FaktePlus