Tërmkolli: Ne jemi me Amerikën, Kurti e ka rastin të përmirësohet ose të shkoj në shtëpi
SHBA po shqyrton mundësinë e tërheqjes së trupave ushtarak në Kosovë, në rast se Qeveria e Kosovës nuk do ta heq taksën 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Të paktën kështu kanë thënë burime ndërkombëtare për Express.
Ndërkaq, heqjen e taksës kryeministrit Albin Kurti ia ka kërkuar edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri por tani edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli.
Ajo ka thënë se marrëdhëniet me SHBA nuk kanë alternativë e për çka sipas saj Kurti duhet të marrë vendim për heqjen e taksës.
Tërmkolli nëpërmjet një shkrimi në profilin e saj ‘facebook’ thotë se “Ne jemi me Amerikën” e që Kurti të paktën du herë ka treguar se ishte kundër, e për çka sipas saj tani e ka rastin të përmirësohet, apo të shkoj në shtëpi, raporton FaktePlus.
“Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin nuk ka nevojë as për ta lutur as për ta marrë “me të mirë”. Ai është në postin e Kryeministrit, me përgjegjësitë dhe obligimet që bartë ky post. LDK si pjesë e koalicionit qeverisës duhet të veprojë ngutshëm ashtu siç deklaroi sot Zëvendës/ Kryeministri Hoti, se marrëdhëniet me SHBA nuk kanë alternativë. Kryeministri duhet të marrë vendim për heqjen e taksës. Ka mundur të negociojë ndonjë përfitim në këtë rast, por ai vazhdimisht mbetet i “painformuar”. Populli i Kosovës nuk ka alternativë tjetër. Ne jemi me Amerikën! Kryeministri, Albin Kurti, së paku dy herë, në kthesa të mëdha historike, ishte kundër. E ka rastin të përmirësohet. Ose të shkojë në shtëpi. Edhe kjo nuk ka alternativë. ‘Nuk ka rrugë të mesit’”, ka shkruar Tërmkolli.