Kryeministri britanik Boris Johnson dërgon telegram urimi Albin Kurtit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar telegram urimi nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson.
Në urimin e Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson për Kryeministrin Albin Kurti thuhet se Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.
“Dëshiroj t’ua shpreh urimet e mia më të sinqerta në emër të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, për emërimin tuaj si Kryeministër i Kosovës. Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova gëzojnë miqësi të ngushtë dhe historike. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është fuqishëm e përkushtuar për ta mbështetur integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë”, thuhet në telegramin e urimit.
Kryeministri Johnson në letrën për Kurtin është shprehur se mbështet fuqishëm agjendën për luftimin e korrupsionit.
“Mezi presim të punojmë së bashku si partnerë në mënyrë që Kosova dhe rajoni më i gjerë të jenë të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Për këtë qëllim, ne mbështesim fuqishëm agjendën tuaj të brendshme për të luftuar korrupsionin, për forcimin e sundimit të ligjit dhe për trajtimin e krimit të rëndë dhe të organizuar”, thuhet në telegramin e urimit të Kryeministrit Johnson.