Nesër Ministria e Drejtësisë anulon konkursin për noterë
Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar për nesër një konferencë të jashtëzakonshme.
Ndonëse Ministria nuk e ka bërë të ditur qëllimin e kësaj konference, kallxo.com nga burime të sigurta merr vesh se në këtë konferencë do të jepet njoftimi për anulimin e konkursit për noterë.
Rekrutimi i noterëve të rinj është pezulluar për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në testin e noterisë.
Ishte raportuar se në mesin e kandidatëve që kishin kaluar testin me shkrim ishte edhe Gentiana Bajraktari, vjehrri i të cilës, Nehat Idrizi, kryetar i komisionit të Noterisë, i kishte përpiluar pyetjet.
Për shkak të dyshimeve për parregullsi ishte kërkuar stopimi i procesit të emërimit të noterëve të rinj.
Thirrje në këtë drejtim kishte bërë edhe Zyra e BE-së në Kosovë, si dhe diplomatë të vendeve të ndryshme.
Lidhur me procesin e emërimit të noterëve ka pasur shumë reagime në publik lidhur me dyshimet se pati konflikt interesi gjatë procesit të përzgjedhjes së noterëve.
Madje ky proces u hetua edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion.
Pas hetimit, AKK ka dalur me një opinion se gjatë procesit të emërimit të noterëve është evituar konflikti i interesit.