Cakaj i përgjigjet Haradinajt: Nuk rri i heshtur karshi fakteve kokëforta
Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka folur për akuzat që ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ka bërë në drejtim të tij se kinse ka lobuar për shkëmbime territoresh.
Cakaj ka thënë se ai asnjëherë nuk ka lobuar ide të tilla.
“Unë nuk e kam mbështetur politikisht e as publikisht atë ide shkëmbimin e territoreve”, tha ai.
Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë thotë se e shqetëson fakti që politikanët e Kosovës, përgjegjësitë e tyre karshi qytetarëve po i fshehin duke akuzuar Tiranën zyrtare.
“Ata po bëjnë mbulesë të përgjegjësive të tyre qeveritare me akuza ndaj Tiranës zyrtare”.
Cakaj thotë se Shqipëria nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Kosovës pasi nuk është në tavolinat e negociatave.
“Kushtetuta e Kosovës e thotë qartë që ndryshimet e mundshme të kufijve mund të kalojnë vetëm përmes ratifikimit në Kuvend”.
Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, thotë se me Haradinajn nuk ka asnjë çështje të hapur dhe se do të ruaj raportet zyrtare me Kosovën.
“Por natyrisht karshi fakteve kokëforta, nuk mund të qëndrojë i heshtur”, deklaroi më tej Cakaj në Dukagjini.