Pas marrëveshjeve në Munich, sekretarja e PSD-së ka disa pyetje për Kurtin
Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku u paraqiten sot në mbledhjen e Qeverisë. Pak ditë më parë, mes Kosovës dhe Serbisë u nënshkruan marrëveshje për hekurudhat dhe autostradën. Kurti e Abdixhiku nuk thanë asnjë fjalë.
Por, është dikush që ka kujtuar se sa ditë kanë kaluar nga kjo marrëveshje dhe ka bërë disa pyetje publike. Sekretarja e Partisë Socialdemokrate, Teutë Rrusta ka shkruar në Facebook për heshtjen e Kurtit.
“Sot janë bërë 5 ditë qysh kur janë nënshkruar “marrëveshjet” në mes të Kosovës dhe Serbisë për Hekurudhën dhe Autstradën. Në ditën e nënshkrimit të tyre, Kryeministri Kurti tha që marrëveshjet janë bërë pa autorizimin e qeverisë së tij dhe që nuk kishte informacion për përmbajtjen e tyre. Zyrtarët që kanë nënshkruar këto dokumente janë zyrtarë të ministrisë ku udhëheqë Lumir Abdixhiku. As ky ministër nuk ka thënë asnjë fjalë për to”, ka shkruar ajo, për të shtruar disa pyetje.
“Çfarë po pret Kurti? Pse nuk u kërkon llogari zyrtarëve të tij? Pse nuk po i publikon marrëveshjet të cilat tashmë janë në ndonjë nga zyrat e ministrive që ai udhëheqë? Këto e shumë pikëpyetje të tjera”, thekson Rrusta.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kishte reaguar për marrëveshjet me një deklaratë qëtregonte se ai nuk kishte idenë se çka po ndodhë me vendin e tij.
“Sot në Munih janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, kishte shkruar Kurti.
Kujtojmë se në praninë e dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, marrëveshjet janë nënshkruar nga Xhemë Veseli, drejtor i Transportit rrugor, dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës rrugore.
Kurti, thotë se ky proces duhej të ishte transparent.
Kurti, shkruan në Facebook se “sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së”.
“Për më tepër, nëse bazohemi te një version i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e levërdishme sesa ajo për Merdare. Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet”, përfundon Kurti.