Hoti e Bislimi nuk pajtohen për paratë që KQZ i ka kërkuar për zgjedhjet në Podujevë
Qeveria e Kosovës ka votuar për alokimin e mjeteve që i duhen KQZ-së për mallra dhe shërbime për zgjedhjet që do të mbahen në Komunën e Podujevës, raporton Gazeta Express.
Ministri i Financave, Besnik Bislimi është ankuar për shumën që e ka kërkuar KQZ-ja derisa ka kërkuar që të mos votohet edhe për mëditjet e tyre, siç është kërkuar.
“Zgjedhjet janë bërë me e zgjedhë kryetarin e komunës jo me i pasuru KQZ-në, është skandaloze kërkesa me e bo 60% mëditje, do të ketë zgjedhje një ditë jo 3 muaj. Parja publike duhet të shfrytëzohet si nikoqirllëk”, tha Bislimi teksa propozoi që të refuzohet si e pabazuar edhe kërkesa e PZAP-it për punë jashtë orarit, 18 mijë euro.
Mirëpo, zëvendëskryeministri Avdullah Hoti si përgjigje për Bislimin tha se qeveria duhet që të kujdeset që të mos jep kualifikime, që mund të jenë të pabazuar.
“Të kujdesemi si qeveri që asnjëherë të mos japim kualifikime që mund të jenë bindje tona personale, por, që mund të jenë të pabazuara. Ju e keni obligim, duhet të kujdeseni që çdo cent që ndahet për KQZ-në të shpenzohen sipas rregullativës, ju duhet të kujdeseni se si po shpenzohen këto mjete”, tha Hoti.
Bislimi iu përgjigj Hotit duke i thënë se si ministër nuk do të lejojë askënd që të keqpërdor me paranë publike.
“Për aq kohë sa jam unë ministër nuk kam me leju që dikush me e keqpërdorë. Unë nuk e di qysh ka qenë praktika më herët, propozimi im që kërkoj që të votoni është që të alokohen mjetet për mallra dhe shërbime jo për mëditje shtesë”, ka deklaruar ai.