Petrol Company filloi të ndërtojë pikë karburanti në qendër të Prishtinës, pa pasur fare leje ndërtimi
Një pikë karburanti ka nisur të ndërtohet te hekurudha në kryeqytet.
I pari i kryeqytetit ka thënë se nuk do të ketë leje nga komuna për këtë çështje.
“I lexova disa statuse rreth një ndërtimi te hekurudha të një pompe. Ajo është tokë e Hekurudhës (Infrakos) e cila është ndërmarrje Publike Qendrore dhe ne nuk kemi qasje në qoftë se i kanë dhënë tokën dikujt. Askush s’ka aplikuar për leje dhe nga inspekcioni janë vendos shirita”, ka shkruar Ahmeti në Facebook,
Ahmeti ka thënë se pret nga qeveria e re që të mos lejohet dhënie të tilla të pronave.
Por kryetari Ahmeti nuk ka bërë të ditur emrin e kompanisë që ka dashur ta ndërtojë pompën në pronën e Hekurudhës.
Mësohet se është kompania “Petrol Company” ajo që ka nisur të ndërtojë pompën në fjalë, por që Komuna e Prishtinës ia ka ndërprerë punimet, shkruan Reporteri.net.
Pas statusit të kryetarit Ahmeti, ka reaguar Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi e cila ka bërë të ditur se Drejtoria e Inspekcionit nga Hortkultura ka marrë bilancin e dëmeve të shkaktuara në gjelbërim, me ç’rast palës i kanë shqiptuar gjobën maksimale prej 1500 eurosh.
“Nga data 25 janar, Drejtoria e Inspekcionit ka filluar procedurat për rastin e ndërhyrjes në gjelbërim pranë hekurudhës. Përveç vendosjes së shiritit, palës i është lënë fletëthirrja me datë dhe orë të caktuar për t’u paraqitur në zyrat e Drejtorisë së Inspekcionit, fletëthirrje në të cilën nuk është përgjigjur askush. Nga Hortkultura kemi marrë bilancin e dëmeve të shkaktuara në gjelbërim, me ç’rast palës i kemi shqiptuar gjobën maksimale prej 1,500.00 eurosh, dhe me procesverbal është obliguar që ta kthejë terrenin në gjendjen e mëparshme”, thuhet në njoftimin e komunës.