Sekretari i ministrisë Betim Reçica shëtitet me veturë 60 mijë euro
Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës e Ambientit, Betim Reçica, e cila deri para pak ditësh është drejtuar nga ministri Pal Lekaj, ditëve të fundit ka qenë shumë prezentë në media. E shkrimet për këtë zyrtar nuk kanë qenë për ndonjë të arritur e punë të mirë, por për skandale, si dhe luksin në të cilin jeton me një pagë të shtetit. Ai mban veshur rroba prej mijëra euro dhe shëtitet me një veturë të tipit Audi, e cila ka vlerë prej 60 mijë euro.
Nëpër mediat e Kosovës, kohën e fundit është raportuar për dhënien e tenderëve me favorizime, punësime, shantazhe në punë, e gjëra tjera të ndryshme që kanë ndodhur në Ministrinë e Infrastrukturës e Ambientit.
Madje edhe në ditën e votimit të Qeverisë së Albin Kurtit, në Parlamentin e Kosovës, pati nxitime e u kryer kontrata për të rehatuar kompani e njerëz nëpër institucionet qeveritare.
E deri sa është raportuar për gjithë këto, zyrtarët e shtetit vazhdojnë të bëjnë jetë luksi.
Në fakt sekretari i përfolur nëpër media, Betim Reçica, është njëri prej shembujve të çuditshëm se si një person me një pagë shteti, mund të vozitë veturë prej 60 mijë euro, vesh pallto në vlerë prej 2 mijë euro dhe viziton shtete të ndryshme të botës.
Reçica shihet duke vozitur veturën e tipit Audi, e cila është blerë vitin e kaluar dhe është në emër të vëllait të tij, Bekimit.
Kjo veturë luksoze, që vozitë sekretari Betim Reçica, sipas dokumentit thuhet se ka kushtuar rrafsh 60 mijë euro.
Se ky zyrtar shteti bën jetë luksi tregojnë edhe ato që kanë arritur ditë më parë në adresë të Agjencisë së Lajmeve FaktePlus. Lexuesit kanë dërguar disa fotografi të Reçicës, i cili shihet duke shëtitur rrugëve të Parisit.
Por, në këtë fotografi, lexuesit kanë theksuar diçka me rëndësi për Reçicën. Ata tregojnë se ky zyrtar i lartë i shtetit të Kosovës, në trupin e tij ka të veshur një pallto të shtrenjtë.
Kjo pallto është e firmës së njohur botërore “Saint Laurent”.
Madje, për të treguar se palltoja që mban veshur sekretari Reçica, është tejet e shtrenjtë është dërguar edhe një foto tjetër për krahasim.
Në fotografi shihet se palltoja e ngjashme shiten me një çmim prej 2 mijë e 118 euro.
Ky është zyrtari i Kosovës që me pallto të 2 mijë eurove shëtit rrugëve të Parisit
Ditë më parë është raportuar se një rast skandaloz ka ndodhur në Ministrinë e Infrastrukturës, ku sipas burimeve të Indeksonline sekretari i kësaj ministrie, Betim Reçica, ka nënshkruar dhjetëra kontrata në vepër, pikërisht në ditën kur është zgjedhur Qeveria e re e Kosovës.
Portali ka siguruar 2 kontrata, të cilat kanë vulën e 3 shkurtit të vitit 2020.
Fatbardh Jakupit, nga Skënderaj, i cili mban titullin inxhinier i ndërtimtarisë i është vazhduar kontrata edhe për 6 muaj pra deri më 2 gusht 2020 ai ka qenë duke punuar me kontratë në vepër edhe vitin e kaluar.
Ndërsa rasti më flagrant është ai i Lulzim Ismajlit nga Lipjani, i cili mban titullin zyrtar administrativ në Departamentin e menaxhimit të rrugëve.
Ai është duke punuar me kontratë në vepër në MI, që nga data 11.09.2019 deri më 10.03.2020, pra në bazë të marrëveshjes atij i skadon kontrata me 10 mars të këtij viti.
Mirëpo, sekretari Betim Reçica, i ka vazhduar në mënyrë të kundërligjshme kontratën duke nënshkruar kontratë mbi kontratë. Pra, Lulzim Ismajli tashti ka kontratë të re nga data 3 shkurt deri më 2 gusht të këtij viti, edhe pse ai kontratën e vjetër e ka pasur deri më 10 mars të këtij viti.
Ministri kërkon informata nga Prokuroria
Kështu pas gjithë këtyre, ministri i ri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku para pak ditësh ka drejtuar një shkresë në Prokurorinë Speciale të Kosovës në të cilën ka kërkuar informacion nga ta për sekretarin e përgjithshëm të ministrisë, Betim Reçica.
Ai në shkresë thotë se nga mediat është informuar se ndaj Reçiçes, Prokuroria Speciale ka iniciuar procedurë penale.
“Andaj, ju lutem më njoftoni nëse ndaj z. Betim Reçiça, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës është iniciuar ndonjë procedurë penale që ndërlidhet me ushtrimin e funksioneve të tij në administratën publike”, thotë Ministri i LDK-së në shkresën e tij drejtuar Prokurorisë Speciale, ditën e sotme, 14 shkurt 2020.