Krimet në familje që tronditën Kosovën
Fundi i muajit janar të vitit 2020 doli të jetë tragjik për çiftin nga Prizreni, Durim e Suada Hadri.
Në Kosovë kanë ndodhur disa raste të vrasjeve të rënda prej familjes, për motive të ndryshme.
Trupat e tyre u gjetën në shtëpinë e tyre në Prizren, vetëm disa ditë pasi kishin ardhur për pushime nga Suedia në Kosovë.
Për këtë vrasje të dyfishtë, dyshimet sipas Prokurorisë çojnë tek djali e tyre, 35 vjeçarin A. Hadri.
I njëjti, dyshohet se kishte qëlluar me armë zjarri dy prindërit e tij e pastaj ishte larguar nga Kosova.
E Prizreni nuk vonoi shumë u bë sërish vendi i një ngjarje tjetër tragjike brenda familjes.
Vetëm një javë më vonë, në fshatin Zhur të Prizrenit një zyrtar policor kishte ndërruar jetë gjatë ndërhyrjes në një shtëpi.
Aty, pronari i shtëpisë Iran Badallaj, kishte vendosur eksploziv, pasi i njëjti ishte denoncuar nga familjarët e tij për dhunë në familje.
E si pasojë e shpërthimit të eksplozivit, edhe fëmijët e vetë Badallajt kishin marrë lëndime të lehta.
Rastet e vrasjeve brenda familjes, nuk janë shënuar vetëm gjatë vitit 2020.
Ishte gushti i vitit 2019, kur bashkëshorti kishte qëlluar me armë zjarri gruan e tij, e cila për pasojë kishte ndërruar jetë.
Një 61 vjecar në Prizren kishte qëlluar gruan e tij 49 vjeçare Armenda Velijën disa metra larg oborrit të shtëpisë së tyre.
Në vendin e ngjarjes policia gjeti 15 gëzhoja të cilat u shkrepën nga revolja me të cilën dyshohet të ketë ndodhur e gjithë ngjarja e rëndë.
Në prill të vitit 2019, u shënua një nga vrasjet më të rënda brenda anëtarëve të një familjeje.
Në lagjen Dardania në Prishtinë u gjetën tre trupa të vdekur brenda një banese.
Kryefamiljari Hasan Krasniqi, dyshohej se kishte vrarë gruan e tij, gruan e djalit të tij e pastaj kishte qëlluar edhe veten.
Në ngjarjen e rëndë, prezente kishte qenë edhe mbesa dy vjecare e dorasit, e cila kishte parë derisa gjyshi i saj kryente vrasjet.
Ishte raportuar se Krasniqi, edhe më herët kishte pasur probleme me ligjin.
I njëjti kishte ushtruar presion mbi gruan e tij, madje ai kishte marrë urdhër që t’i qëndronte larg bashkëshortes.
Ndërkohë, këtë të martë Kosova u trondit edhe një herë.
Kësaj radhe nga një rast edhe më i rëndë në Gjilan, ku një zyrtare policore qëlloj për vdekje prindërit, dy vëllezërit dhe në fund vrau vetën.