Parashikimi i motit për ditët e ardhshme, a do të ketë reshje bore
Fushat me presion të lartë atmosferik që kanë përfshirë rajonin dalëngadalë po dobësohen, kështu që për dallim nga ditët e para të javës të cilat paraqiten me mot stabil dhe të ngrohtë, nga dita e enjte priten kushte tjera meteorologjike, bën të ditur Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Sipas IHMK’së, në fushat barike pritet të ketë rënie dhe kushte për formim të vranësirave të dendura të cilat do të shoqërohen me reshje shiu dhe bore, ndërsa në viset kodrinore-malore parashihet të ketë vetëm reshje bore.
Instituti njofton se reshjet do të ndikojnë në rënien e përkohshme të temperaturave në të dy vlerat ekstreme.
Dita e hënë dhe e martë paraqiten si ditë më të nxehta të javës, derisa dita e enjte do të regjistrojë temperaturat më të ulëta të javës, parashikon IHMK’ja.
Sipas institutit, temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 2 deri -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 5-14 gradë Celsius.
IHMK’ja paralajmëron se do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit dhe verilindjes me shpejtësi deri 12m/s./FaktePlus