Paralajmërohet pezullimi i punimeve për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lepenc
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Avni Zogiani, bashkë me deputeten e LVV-së, Fitore Pacolli, kanë vizituar zonën ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lepenc në Biti të Poshtme.
Zv/ministri Zogiani, përmes një postimi në Facebook, tha se zëri i ekspertëve dhe i banorëve nuk është dëgjuar mjaftueshëm dhe projektet mund të kenë ndikim shumë më të madh socio-mjedisor se që është pretenduar në studimet e bëra nga konsulencat e njëanshme të angazhuara për këto projekte.
“Studimet fillestare dyshohet se janë bërë pro-forme dhe nuk kanë marrë seriozisht mundësinë e ndikimit në jetën e habitateve dhe të njerëzve në këto zona. Prandaj, ne iu premtuam banorëve të Bitisë se do t’i rishikojmë projektet e tilla”, tha Zogiani.
Ndërsa deputetja Pacolli, po ashtu përmes një postimi në Facebook, tha se banorët janë njoftuar se “Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka filluar të gjitha procedurat për pezullim të menjëhershëm të punimeve deri në shqyrtimin e plotë të situatës”.
“Ka 5 vjet që banorët kanë protestuar e përpjekur, i madh e i vogël, që të bllokojnë punimet që kanë degraduar lumin dhe mjedisin përreth. E shumë banorë vazhdojnë të pranojnë fletëthirrjet nga policia për pengesat që ia kanë bërë kompanisë. Ata për kaq vite nuk kanë kaluar një ditë apo një natë të qetë pa u frikësuar se një ditë lumi që është vet jeta e tyre nuk do të ekzistonte më. Por tani gjërat kanë ndryshuar. E lumtur që kërkesat e brengat e qytetarëve tani kanë adresë. E ne deputetët do ta kemi shumë më lehtë ta bëjmë punën tonë”, ka thënë Pacolli./FaktePlus