Kurti për herë të parë sot bëri homazhe tek varri i ish- presidentit Rugova (Video)
Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti iu desh të bëhej kryeministër i vendit që ta nderoj e t’i bëjë homazhe tek varri ish- presidentit Ibrahim Rugova.
Si kryetar partie Albin Kurti asnjëherë nuk e kishte vizituar varrin e ish- presidentit.
Ndërsa sot me 17 shkurt në 12- vjetorin e Pavarësisë, si kryeministër i Kosovës Albin Kurti së bashku me kryeparlamentaren Vjosa Osmani bëri homazhe tek varri i ish- presidentit.
Aty duke mos pranuar të fliste se përse kishte vendosur t’i bënte këto homazhe, Kurti tha se Rugova ishte zgjedhur president me votën popullore.
“Sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të shpalljes së Pavarësisë kujtojmë presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovës të zgjedhur me votë popullore me 24 maj të vitit 1992. Me një dekadë më vonë me 4 mars të vitit 2002 në Kuvendin e Kosovës, doktor Ibrahim Rugova rizgjidhet sërish president i Kosovës, kësaj radhe president i parë në Kosovës së çliruar. Në një ditë si kjo ne vlerësojmë përpjekjen insisituese dhe institucionale, angazhimin politik për liri dhe pavarësisë. U prehtë i qetë dhe në paqe”.
Kurse kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se Ibrahim Rugova dha kontribut të veçantë për ndërtimin e themelit të shtetit tonë.
“Ishim këtu për të nderuar kontributin e presidentit historik, presidentit Ibrahim Rugova, i cili vuri themelet e shtetit tonë si ideator i projektit të Kosovës shtet i pavarur dhe sovran dhe kontributin e tij në bashkimin e shqiptarëve në Kosovë rreth kësaj ideje dhe sublimimit dhe artikulimit të qartë të popullit tonë për liri e pavarësi. Natyrisht e nderojmë kontributin e tij dhe gjithë bijve e bijave të cilët u bashkuan rreth lëvizjes së madhe të shqiptarëve”, ka thwnw Osmani.
Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh edhe tek varri i ish- veprimtarit Adem Demaçi në Velani të Prishtinës.
Ndërsa agjenda e Kurtit dhe Osmanit ishte e ngjeshur nga aktivitete të shumta të cilat kanë ndodhur sot për nderë të Pavarësisë së Kosovës./FaktePlus