Thaçi: BE ishte e gatshme në 2016 t’i liberalizonte vizat për Kosovën
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Bashkimi Evropian ishin të gatshëm që në vitin 2016 të liberalizonin vizat në mënyrë që qytetarët e vendit tonë të lëvizin lirshëm, mirëpo për shkak të ngatërresave politike që ishin në atë kohë, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Në një intervistë ekskluzive nga Brukseli, Thaçi tha se politikanët kosovarë janë vonuar me gabimet e tyre në kohën kur BE ishte e gatshme të liberalizonte vizat.
“Ne kemi treguar dhe kemi dëshmuar se kemi bërë progres, natyrisht se ka pasur kohë kur jemi vonuar me gabime tona, të ardhmen evropiane, në veçanti në fund të vitit 2015 dhe fillim të vitit 2016, kur BE ishte e gatshme që ta bënte liberalizimin e vizave, por për shkak të ngatërresave politike dërguan mesazhin më të keq të mundshëm tek partnerët tanë edhe në BE edhe në SHBA”, u shpreh presidenti.
Tutje ai shtoi, se takimi me liderëve të ri të BE’së me ata të Ballkanit Perëndimor do të paraqesë një vizion për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Është takimi i parë i liderëve të ri të BE-së që e organizojnë me liderët e Ballkanit Perëndimor. Mendoj se është një fokus dhe një vëmendje e shtuar e BE-së me liderët e rinj. Shpresoj që ky takim apo kjo darkë e punës me liderët e Ballkanit Perëndimor mos të mbetët vetëm shkëmbim idesh siç ka ndodhur edhe në të kaluarën por të paraqitet një vizion për të ardhmen e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti të hapet perspektiva konkrete dhe për Maqedoninë e Veriut edhe për Shqipërinë edhe për Kosovën procesi i liberalizimit të vizave.”, u shprehë Thaçi.
“Ndryshe nëse nuk ka propozim të tillë, vetëm do të jetë një kultivim i status kohës të rrezikshme për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe një angazhim i thatë sepse me të vërtet Kosova ka pasur dhe ka arsye për të qenë shumë e zhgënjyer e dëshpëruar dhe e tradhtuar nga BE-ja duke mos e nxjerrë vendimin për liberalizimin e vizave sepse Kosova tash e pesë vite i ka implementuar të gjitha standardet demokratike që të ndodh liberalizimi i vizave. Pra, mos uniteti i BE-së ka ndikuar për të keq për Kosovën në mënyrë që të shtyhet ky proces deri në pafundësi.”, tha tutje ai.
Presidenti i Kosovës kërkoj që tash e tutje të ketë veprime konkrete e jo fjalime të bukura, duke theksuar se takimi I sotëm I liderëve të Ballkanit Perëndimor me liderët e rinj të BE’së, është një mundësi shumë e mirë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat duhet të jenë pjesë e familjes evropiane.
“Ne duhet t’i dëgjojmë, të shohim se çka do të prezantojnë, jo vetëm fjalë të bukura po kërkohen veprime konkrete. Unë mendoj se takimi i sotshëm i liderëve të Ballkanit Perëndimor me liderët e rinj të Bashkimit Evropian është një mundësi shumë e mirë dhe është një mundësi e një parapërgatitje më solide dhe më e konsoliduar për Samitin e Zagrebit, në mënyrë që të hapet një perspektivë konkrete për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë mbetur mbrapa dhe që vizioni i të gjitha shteteve është që të jemi pjesë e familjes evropiane, por vonesa e BE-së po ndikon për të keq në tërësi në Ballkanin Perëndimor, në veçanti këtë vakum, janë duke e shfrytëzuar ideologjitë jo perëndimore që të depërtojnë për cenimin e vlerave euroatlantike. Ne këtu në Bruksel vijmë nga Konferenca e Sigurisë në Munih. U dëshmua edhe njëherë roli shumë i rëndësishëm në tërësi për paqen, sigurinë , stabilitetin por për zhvillimin ekonomik i ShBA-ve, por synimi jonë edhe në paraqitjen që e kam pasur në Munih ka qenë që të ndodh një koordinim shumë më i mirë mes BE-së dhe ShBA-ve.”, tha Thaçi.
I pari i Shtetit, motivoi spektrin politik në Kosovës duke thënë se vetëm të bashkuar mund të realizojmë objektivat, duke përmendur edhe parneritetin e besueshëm dhe të qëndrueshëm me SHBA’të dhe BE’në.
“Bota perëndimore do stabilitet politikë, funksione të jetës institucionale, vazhdim të reformave demokratike. Prandaj edhe synimi im dhe thirrja ime për gjithë spektrin politik, pozitë dhe opozitë është që të kemi një agjendë të përbashkët të interesit shtetëror dhe atij qytetar. Më të bashkuar, mund ti realizojmë objektivat. Në anën tjetër ne nuk mund të kërkojmë ndihma ekonomike pa pasur një partneritet të qëndrueshëm dhe të besueshëm me SHBA-të dhe BE-në. Përderisa ai partneritet të jetë i besueshëm, dhe natyrisht shumë parimor dhe i respektuar, është rrezik edhe ato që i kanë premtuar të na shtynë, e në veçanti vazhdon rreziku që nëse nuk ka angazhim serioz dhe shumë të përgjegjshëm, atëherë rrezikohet Kosova që të mos anëtarësohet përsëri as në Interpol as në Unesco dhe të humbim mundësitë që liberalizohen vizat këtë vit.”, ka përfunduar Presidenti Thaçi.