Haki Abazi tregon pse Kurti i dërgoi letër Thaçit për takim
Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Haki Abazi ka ftuar për unitet institucional në raport me dialogun dhe përballjen me Serbinë.
Abazi në një intervistë në RTV Dukagjini thotë se nënshkrimi i marrëveshjeve me Serbinë në Mynih është proces që ka filluar në qeverinë e kaluar dhe negociatat janë zhvilluar nga njerëzit e autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj.
Duke folur për letrën që Kurti i ka drejtuar Thaçit për takim me qëllim unifikimin e politikës së jashtme, Abazi ka thënë se ka kaluar koha kur janë mbajtur qëndrime të ndryshme për politikën e jashtme.
“Ne të gjithë bashkë jemi përgjegjës për kompetencat që na takojnë…Mund të kemi dallime nga brenda, por për procese delikate të jashtme koordinimi duhet të ekzistojë mes institucioneve”.
Zëvendëskryeministri ka thënë se Qeveria Kurti do ta merr përgjegjësinë edhe për dialogun duke evituar diskrepancat që ishin në qeverinë e kaluar.
“Harmonizimi duhet të jetë i përbashkët nëse Kosova duhet të jetë shtet serioz. Nuk i shkon për shtati Kosovës që të ketë zëra të ndryshëm në politikën e jashtme”, tha mes tjerash Haki Abazi.