Ky është zyrtari i Kosovës që me pallto të 2 mijë eurove shëtit rrugëve të Parisit
Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Betim Reçica, e cila deri para 10 ditësh është drejtuar nga ministri Pal Lekaj, ditëve të fundit ka qenë shumë prezentë në media, jo për ndonjë të arritur e punë të mirë, por për skandale.
Në mediat e Kosovës, gjatë këtyre ditëve është raportuar për dhënien e tenderëve me favorizime, punësime, shantazhe në punë, e gjëra tjera të ndryshme që kanë ndodhur në ministri.
E deri sa është raportuar për gjithë këto, në adresë të Agjencisë së Lajmeve FaktePlus kanë arritur edhe disa fotografi të Reçicës, i cili shihet duke shëtitur rrugëve të Parisit.
Por, në këtë fotografi, lexuesit kanë theksuar diçka me rëndësi për Reçicën. Ata tregojnë se ky zyrtar i lartë i shtetit të Kosovës, në trupin e tij ka të veshur një pallto të shtrenjtë.
Kjo pallto është e firmës së njohur botërore “Saint Laurent”.
Madje, për të treguar se palltoja që mban veshur sekretari Reçica, është tejet e shtrenjtë është dërguar edhe një foto tjetër për krahasim.
Në fotografi shihet se palltoja e ngjashme shiten me një çmim prej 2 mijë e 118 euro.
Ditë më parë është raportuar se një rast skandaloz ka ndodhur në Ministrinë e Infrastrukturës, ku sipas burimeve të Indeksonline sekretari i kësaj ministrie, Betim Reçica, ka nënshkruar dhjetëra kontrata në vepër, pikërisht në ditën kur është zgjedhur Qeveria e re e Kosovës.
Portali ka siguruar 2 kontrata, të cilat kanë vulën e 3 shkurtit të vitit 2020.
Fatbardh Jakupit, nga Skënderaj, i cili mban titullin inxhinier i ndërtimtarisë i është vazhduar kontrata edhe për 6 muaj pra deri më 2 gusht 2020 ai ka qenë duke punuar me kontratë në vepër edhe vitin e kaluar.
Ditën kur Kurti u bë kryeministër, Betim Reçica nënshkroi kontrata të kundërligjshme
Ndërsa rasti më flagrant është ai i Lulzim Ismajlit nga Lipjani, i cili mban titullin zyrtar administrativ në Departamentin e menaxhimit të rrugëve.
Ai është duke punuar me kontratë në vepër në MI, që nga data 11.09.2019 deri më 10.03.2020, pra në bazë të marrëveshjes atij i skadon kontrata me 10 mars të këtij viti.
Mirëpo, sekretari Betim Reçica, i ka vazhduar në mënyrë të kundërligjshme kontratën duke nënshkruar kontratë mbi kontratë. Pra, Lulzim Ismajli tashti ka kontratë të re nga data 3 shkurt deri më 2 gusht të këtij viti, edhe pse ai kontratën e vjetër e ka pasur deri më 10 mars të këtij viti.