Kërkohet paraburgim për dy persona, dyshohen për vjedhje të rëndë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim ndaj dy të pandehurve, Xh.M. dhe B.V. nën dyshimin për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Ata dyshohet se më 4 shkurt 2020 në gurëthyesin “Shkoza” në Rahovec, kishin vjedhur pasurinë e të dëmtuarit, shtetasit turk E.E.
“Duke e shfrytëzuar momentin kur nuk ishin prezent punëtorët, së pari kontaktojnë me të pandehurin B.I., me të cilin paraprakisht i prezantohen si pronarë të gurëthyesit, e më pas dakordohen që pajisjet metalike i njëjti t’i blejë në vlerë 4400 euro. Të nesërmen, që të tretë pajisen me mjete të përshtatshme për prerjen e pjesëve metalike dhe transportimin e tyre, duke marrë pjesë të ndryshme të makinerisë së gurëthyesit, ku sipas pronarit kanë arritur të shkatërrojnë pjesërisht pronën e tij, ku vlera e dëmit ka arritur shumën rreth 250.000 euro”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurve ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh./FaktePlus