Kurti i dërgon ftesë për takim, por Thaçi niset për në Gjermani
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Munihut.
Në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Munihut, presidenti Thaçi do të ketë takime të ndryshme bilaterale, ndër të tjera edhe me senatorët amerikanë Ron Johnson dhe Chris Murphy, me Ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, pastaj me Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, si dhe me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, përcjell FaktePlus.
Po ashtu, presidenti Thaçi në kuadër të kësaj konference do ta takojë edhe të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadorin Richard Grenell.
Ndërsa, pak para këtij njoftimi për media nga presidenca kryeministri Albin Kurti i ka dërguar ftesë, presidentit Hashim Thaçi, për të diskutuar për bashkërëndimin e qëndrimeve për çështjet e politikës së jashtme, para udhëtimit në Konferencën për Siguri në Munih të Gjermanisë./FaktePlus