“Qeveria gjermane do të mirëpresë një heqje të menjëhershme të taksës”
Ndërkombëtarët vazhdojnë të insistojnë në heqjen e taksës 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina e cila u vendos nga Qeveria Haradinaj.
Partnerët ndërkombëtarë thonë se heqja e taksës do të ishte hap i mirë për rifillim të dialogut, që tash e sa kohë ka ngecur shkaku i taksës.
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kjo taksë do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë tregtar, ekonomik dhe politik. Por vendosjen e reciprocitetit janë duke e kundërshtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell vazhdon të insistojë që taksa 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duhet të hiqet dhe kjo pa reciprocitet.
Në të njëjtën linjë me SHBA-të është edhe Gjermania. Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se pozicioni i Gjermanisë mbetet i pandryshuar dhe se Qeveria gjermane do ta mirëpres heqjen e menjëhershme të taksës.
“Pozicioni ynë mbetet i pandryshuar: Qeveria gjermane do të mirëpresë një heqje të menjëhershme të taksës 100% të vendosur nga Kosova për Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.
Më tej gjermanët kanë theksuar se heqja e taksës do të ishte një hap i rëndësishëm për të rifilluar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ky do të ishte një hap i rëndësishëm për të rifilluar dialogun e lehtësuar nga BE”, thuhet në përgjigjen e tyre për Telegrafin.
Kujtojmë se zotimi i Kurtit për heqjen e taksës dhe zëvendësimin e saj me reciprocitet nxiti reagime të ashpra nga opozita në Kosovë.
Kjo bëri që i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell t’i drejtohet Kadri Veselit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, duke i thënë se “taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet” dhe se Kurti “ka të drejtë në këtë drejtim”