Rukiqi letër Kurtit, i sqaron pengesat e Serbisë për produktet e Kosovës
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i është drejtur me një letër publike kryeministrit Albin Kurti. Rukiqi në këtë letër ka ofruar shumë fakte për pengesat e Serbisë në produktet e Kosovës. Rukiqi ka kërkuar që zëvendësimi i tarifës me çfarëdo lloj mase tjetër duhet të përcillet me një varg kërkesash në raport me Serbinë, sidomos duke pasur parasysh numrin e lartë të barrierave jotarifore gjatë transitit apo eksportit në tregun e Serbisë.
“Tarifa normalisht që është një instrument i cili ka edhe implikime tregtare edhe politike. Nuk është e jona të vlerësojmë aspektin politik megjithatë sa i përket implikimeve tregtare ne besojmë se çdo zëvëndësim i tarifës me çfarëdo lloj mase tjeter duhet të përcillet me një varg kërkesash në raport me Serbinë, sidomos duke pasur parasysh numrin e lartë të barrirave jo tarifore qoftë gjatë tranzitit apo gjatë eksportit në tregun e Serbisë”, apelon Rukiqi tek kryeministri Kurti.
Kjo është letra e plotë e tij:
Fillimisht, ju uroj punë të mbarë në krye të Qeverisë duke shpresuar në bashkëpunim të suksesshëm në interes të ekonomisë së vendit.
Ditëve të fundit, kemi përcjellur me shumë interes temën e tarifës 100 % ndaj mallrave të Serbisë dhe idesë për zëvëndësimin e saj me ‘parimin e reciprocitetit’, duke marrë parasysh se komuniteti i biznesit preket nga çdo vendim i tillë.
Oda Ekonomike e Kosovës e themeluar me Ligjin Nr. 2004/7 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, përfaqëson e mbron interesat e më shumë 16,000 ndërmarrjeve dhe sa herë të jetë nevoja adreson çështje që janë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe njëherit ofron ekspertizen profesionale në adresimin e tyre.
Për të krijuar një pasqyrë të përgjithshme rreth qëndrimit të OEK rreth tarifës por edhe parimit të reciprocitetit do të shtjelloj më poshtë disa çështje që lidhen ngushtë me këto tema të rëndësishme për sektorin privat.
Në kohën e vendosjes së tarifës, përkatësisht në nëntor të vitit 2018, duke lënë anash interesin ekonomik personal, komuniteti i biznesit ka shprehur mbështetjete për këtë vendimin qeveritar duke i dhënë konsideratë më të lartë interesit të përgjithshëm shtetëror, pavarësisht dëmeve të mundshme financiare për bizneset si pasojë e këtij vendimi. Ndërkohë, bizneset kanë bërë përpjekje maksimale për të zëvëndësuar produktet nga Serbia, duke riorientuar tregun apo importet në vende tjera. Ky vendim natyrshëm ka pasur edhe implikime në kosto megjithatë, në pergjithësi nuk është reflektuar në çmimet finale të produkteve.
Sipas vlerësimeve të Odës Ekonomike, përkatësisht matjet që ne kemi bërë me bizneset në hulumtimin “Klima e biznesit“ është kuptuar se në përgjithësi sektori prodhues në vend ka deklaruar rritje të aktivitetit biznesor si pasojë e vendosjes së tarifës edhe pse periudha raportuese është e limituar në aspektin kohor për të matur impaktin që kjo masë ka në bruto prodhimin vendor.
Tarifa normalisht që është një instrument i cili ka edhe implikime tregtare edhe politike. Nuk është e jona të vlerësojmë aspektin politik megjithatë sa i përket implikimeve tregtare ne besojmë se çdo zëvëndësim i tarifës me çfarëdo lloj mase tjeter duhet të përcillet me një varg kërkesash në raport me Serbinë, sidomos duke pasur parasysh numrin e lartë të barrirave jo tarifore qoftë gjatë tranzitit apo gjatë eksportit në tregun e Serbisë.
Ekonomia e Kosovës që nga deklarimi i pavarësisë së vendit, nuk zhvillohet në përputhje me potencialet e saj, dhe kjo i referohet sidomos sektorit të eksportit për shkak të barrierave me të cilat prodhimet tona hasen nga vendet fqinje me theks të veçantë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Zbatimi i Marrëveshjes CEFTA vazhdon të shoqërohet nga vështirësi të shumta për Kosovën për shkak të pengesave të aplikuara kryesisht nga vendet e sipërcekura duke konsideruar faktin që këto shtete nuk pranojnë asnjë produkt që ka origjinën kosovare.
Barrierat e aplikuara karshi Kosovës janë zakonisht të natyrave të ndryshme, duke përfshirë Barrierat Teknike të Tregtisë dhe Standardet Sanitare dhe Fito sanitare. Në të njëjtën kohë, tranzitimi i produkteve të Kosovës ballafaqohet me pengesa administrative të vazhdueshme.
Barriera e parë me të cilën bizneset, por edhe qytetarët përballen është mosnjohja e pasaportës dhe dokumeteve të udhëtimit, ku dëmi më i madh u shkaktohet bizneseve për shkak të kohës, por edhe domosdoshmërisë që të angazhojnë logjistikë (sektori i transportit) nga vendet e rajonit.
Prodhuesit vendor ka shumë raste kur dëmtohen nga importet bujqësore dhe industriale nga Serbia, kryesisht përmes çmimeve ‘dumping’, duke u shitur më lirë se në vendin e origjinës, e cila rrjedhimisht dëmton industritë e njëjta vendore. Të tilla janë rastet për importin e miellit si dhe të produkteve ndërtimore. Çështja e raportit të analizave të kualitetit apo e fushës sanitare dhe fito sanitare mbetet mjaft shqetësuese. Eksportuesit kosovar obligohen nga autoritetet e Serbisë, respektivisht atyre të ushqimit dhe veterinarisë që të presin me maunat e tyre me ditë të tëra, për faktin se autoritetet serbe nuk i njohin analizat e eksportuesve Kosovar. Të gjitha këto krijojnë kosto shtesë për kompanitë kosovare në kuptimin kohor dhe financiar. Gjithashtu, edhe sa i përket produkteve industriale, ka mjaft raste ku eksportuesit kosovar pothuajse e kanë të pamundur të eksportojnë disa produkte, kjo për faktin se autoritetet relevante të Serbisë nuk i pajisin me leje importi importuesit e tyre për arsye politike, e cila rrjedhimisht e pamundëson realizimin e eksportit nga kompanitë e Kosovës. Që nga viti 2008, shumë kompani kosovare janë duke u përballur rregullisht me problemin e tranzitit përderisa importojnë nga vendet e BE-së dhe kalojnë nëpër territorin e Serbisë në pika të ndryshme kufitare. Edhe pse kompanitë kosovare posedojnë të gjithë dokumentacionin përkatës, atyre u kërkohet gjithashtu të ofrojnë një licencë të importit që lëshohet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë Serbe ose Ministria e Bujqësisë. Kompanitë zakonisht detyrohen të kthehen dhe të përdorin një rrugë tjetër përmes Rumanisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke arritur kështu në Kosovë. Tutje, industria e pijeve vazhdimisht raporton shqetësimin që për çdo ngarkesë që hynë në Serbi, duhet të paguajnë 150 EUR në emër të certifikatës së cilësisë, dokument ky i cili në vendin tonë lëshohet nga Instituti
Bujqësor, por që nuk njihet nga autoritetet serbe. Kjo pasiqë shteti serb, kompanitë kosovare i konsideron si prodhues të brendshëm të Serbisë.
Për më tepër, të ndodhur në këtë situatë dhe duke mos pranuar që t’u nënshtrohen kërkesave paradoksale të autoriteteve serbe kur realizohet eksporti ose tranziti në këtë shtet, ndërmarrjet tona kanë aplikuar si praktikë hapjen e filialëve/degëve në vendet e rajonit.
Sidoqoftë, kompanitë vazhdimisht deklarojnë se u kërkohet ndonjë leje dhe çertifikatë shumë specifike për të tregtuar me këtë vend, pastaj certifikata të konformitetit, certifikata për cilësinë e produktit dhe teste laboratorike shtesë. Tutje, duhet përmendur këtu që problemet më të ndjeshme vijnë nga autoritetet doganore, d.m.th. kur produkti është “i lirë” (ka një çmim të ulët), doganat kërkojnë konfirmimin e kompanisë mbi vlerën e mallit por, edhe pasi marrin atë konfirmim autoritetet serbe bëjnë edhe një vlerësim të ri të mallit (ndryshe duke nënkuptuar rritjen e bazës doganore) dhe tarifat pastaj rriten dukshëm. Për më tepër autoritetet serbe gjithmonë kërkojnë ndryshimin e targave për mjetet e transportit në mënyrë që ato të lejohen të kalojnë kufirin, i cili në njërën anë është kosto shtesë dhe nga ana tjetër është kohë e humbur për kompanitë. Disa nga kompanitë ose tashmë e kanë bërë ose po mendojnë të ndryshojnë korridorin e tregtisë me Serbinë (madje edhe tranzitin) ose në rastet më të këqija madje edhe të mbyllin biznesin. Të dyja alternativat janë të kushtueshme; megjithatë, bizneset nuk po arrijnë të gjejnë ndonjë alternativë tjetër.
Në kuadër të barrierave ekonomike padiskutim duhet përmendur edhe mosnjohja e certifikatave dhe kualifikimeve profesionale ku që nga viti 2015 Serbia mbanë “peng” procesin e inicuar nga CEFTA dhe iniciativa të tjera rajonale të përbashkëta.
Në përmbyllje të këtyre barrierave theksi i vecantë duhet të jipet tek fakti që shtetit serb nuk njeh asnjë dokument të lëshuar nga institutionet e Republikës së Kosovës, me përjashtim të EUR1 të lëshuar nga Dogana e Kosovës.
Komuniteti i biznesit përkrah çfarëdo mase që është në interes të përgjithshëm shtetëror mirëpo konsideron të nevojshme një analizë të detajuar të kërkesave të bizneseve dhe implikimeve tjera para marrjes së vendimeve që prekin veprimtarinë e tye e rrjedhimisht mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Besojmë thellësisht se me bashkëpunim të mire ndërinstitucional do të mund ta fuqizojmë besimin e komunitetit të biznesit në punën e institucioneve shtetërore, si dhe do të mund t’i ofrojmë atyre qartësim për këto çështje me rëndësi.
Sinqerisht,
Berat Rukiqi
Kryetar