Arrestohet edhe një edukatore e “Cambridge Kids”
Dy edukatore janë arrestuar për rastin e keqtrajtimit të një fëmije në çerdhen “Cambridge Kids”, ka konfirmuar të mërkurën Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Pas konfirmimit të Policisë së Kosovës për arrestimin e një të dyshuare për abuzimin me fëmijë në kopshtin “Cambridge Kids” në mëngjesin e sotëm, Prokuroria ka njoftuar për një tjetër edukatore të arrestuar të martën.
Ulaj ka konfirmuar se dy të dyshuarave u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe se ndaj të dyshuarave është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit prej 30-ditësh nga Gjykata.
“Janë arrestuar dy persona të dyshuara dhe pastaj Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim për dy të dyshuarat”, ka thënë Laureta Ulaj, për Insajderin.
Dy video të publikuara dje nga prindër, fëmijët e të cilëve ishin pjesë e çerdhes “Cambridge Kids”, shfaqin abuzimin me fëmijë nga dy edukatore.
Njëra prej videove shfaq të dyshuarën T.G. teksa keqtrajton fizikisht një fëmijë 16-muajsh.
Videoja tjetër, shfaq të dyshuarën R.M., edukatore në kopshtin “Cambridge Kids”, duke qortuar dhe ‘shkundur’ një fëmijë.
Institucioni parashkollor “Cambridge Kids” është mbyllur sot me vendim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.