Sherr mes të miturve në Pejë, rrahje e therje me thikë
Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, përkatësisht Stacioni policor i Pejës, në rr. “Esat Mekuli”, është informuar për një incident, i cili u cilësua si lëndim trupor, ndaj një të mituri, i cili kishte pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë (thikë).
Njësiti policor nga Stacioni policor në Pejë menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes në orë 9:45 ku edhe është gjetur viktima në vendin e ngjarjes i plagosur nga mjeti i mprehtë në këmbën e majtë në pjesën e gjurit.
Me autoambulancë është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës, e pastaj nën përkujdes mjekësor është dërguar për në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejmë.
Sipas mjekëve gjendja shëndetësore e viktimës është stabile dhe viktima është jashtë rrezikut për jetën.
Nga njësitë përkatëse të policisë janë ndërmarrë masat e nevojshme të menjëhershme dhe dy persona të dyshuar të moshës së mitur janë arrestuar, njëri për ‘shkaktim të lëndimit të rëndë’, ndërsa tjetri për ‘fshehjen e mjetit’ me të cilin ishte shkaktuar lëndimi.
Për rastin është informuar prokurori dhe me vendim të tij, personi i parë i dyshuar ndalohet për veprën penale ‘lëndim i rëndë trupor’, ndërsa i dyshuari i dytë për veprën e ‘dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale’ lirohet në procedurë të rregullt.
Hetuesit janë duke punuar në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti./FaktePlus