AAK paralajmëroi protesta, a do t’i bashkohet PDK-ja dhe Nisma?
Deklarata e kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe vendosjes e reciprocitetit, ka vënë në ofensivë partitë opozitare.
Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, nuk po pajtohen me vendimin e kryeministrit Kurti, që taksën ta zëvendësojë me reciprocitet,
Kjo pasi që po vlerësojnë se Kurti me këtë veprim po dorëzohet karshi Serbisë, madje po kërkojnë që taksa së paku të qëndrojë deri në momentin e njohjes së Kosovës nga Serbia, shkruan FaktePlus.
Por, më e zëshme në këtë çështje po del të jetë partia e ish- kryeministrit, Ramush Haradinaj, i cili edhe e vendosi taksën ndaj Serbisë në kohën sa ishte shef i ekzekutivit.
Këta të fundit pos që po e mbrojnë liderin e tyre në vendimin e tij, kanë paralajmëruar edhe mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme rreth heqjes së taksës, madje nuk kanë përjashtuar edhe protestat.
Por, kanë thënë se për këtë do të diskutojnë edhe me partitë tjera opozitare.
Ish- ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka deklaruar se do t’i shfrytëzojnë të gjitha metodat demokratike, sa i përket deklaratës së Kurtit për heqjen e taksës.
“Sa i përket taksës AAK-ja është e vendosur që të shfrytëzojë të gjitha metodat demokratike, por në asnjë moment nuk i përjashtojmë edhe protestat dhe veprimet tjera sepse mendojmë se Kosova gabon shumë rëndë e heq edhe taksën dhe ia lejon tregun Serbisë mbi 500 milionë euro”, ka thënë Lekaj.
Lekaj, ka thënë se do të bisedojnë edhe me partitë tjera për t’iu kërkuar nënshkrimet për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme.
“Kur jemi te nënshkrimet ne jemi në diskutim. Sa i përket AAK-së ne i kemi mbledhur nënshkrimet dhe do të bisedojmë edhe me partnerët tonë në opozitë që të thirret një seancë e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Por, a do ta përkrah pjesa tjetër e opozitës Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në nismën e saj për të mbrojtur taksën kundër Serbisë.
Në Nismën Socialdemokrate pa dashur të japin më shumë detaje kanë thënë se nuk dëshirojnë të përzihen në agjendën e askujt.
“Do të mblidhemi sot, dhe nuk dëshirojmë të përzihemi në agjendë të askujt”, ka thënë një zyrtar i Nismës Socialdemokrate për FaktePlus.
FaktePlus, për këtë ka kërkuar përgjigje edhe në Partinë Demokratike të Kosovës, por asnjëri nga zyrtarët e saj nuk është deklaruar.
Ditë më parë, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se nuk duhet të ketë manovrime politike për çështjen e taksës, pasi që sipas tij kjo është temë e ndjeshme.
“Taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën. Prandaj, nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, ka thënë Veseli.
Kryeministri Albin Kurti, me të marrë pozitën e shefit të ekzekutivit ka thënë se do ta heq taksën ndaj produkteve serbe për ta zëvendësuar me reciprocitet.
Deklaratën e tij e ka mbështetur edhe i dërguari i presidentit Donald Trump, Richard Grenell, duke thënë se ky është një vendim i drejtë, po ka shtuar se assesi nuk duhet të vendoset as reciprocitet ndaj Serbisë./FaktePlus