Ministrja e Drejtësisë, u premton transparencë dhe bashkëpunim shoqërisë civile
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e organizatave joqeveritare të cilët kanë qenë zëri më i fuqishëm në kundërshtimin e emërimit të noterëve të përzgjedhur në procedurë të dyshimtë, duke kërkuar një rishikim të plotë të këtij procesi.
Gjatë këtij takimi, ajo ka përgëzuar përfaqësuesit e shoqërisë civile për insistimin dhe konsistencën e tyre në pengimin e këtij procesi të komprometuar dhe të dyshimit i cili duhet të kthehet në pikën zero.
Sipas ministres Haxhiu, ka qenë pikërisht reagimi i shoqërisë civile ai i cili ka bërë që kundër këtij procesi të dalin edhe një numër institucionesh e organizatash ndërkombëtare.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e këtyre organizatave falënderuan ministren Haxhiu për angazhimin e saj në cilësinë e deputetes dhe Kryetares së Komisionit për Legjislacion, në trajtimin e çështjes së noterëve dhe njëherësh kërkuan që urgjentisht të fillojë rishikimin e gjithë këtij procesi.
Ministrja, pasi ka dëgjuar shqetësimet dhe rekomandimet e secilit nga këta përfaqësues lidhur me procesin e noterisë, ajo u premtoi se shumë shpejt do të fillojë rishikimi i gjithë procesit dhe do të shqyrtohen të gjitha mundësit për ta kthyer këtë proces në pikën zero, gjithnjë duke ftuar organizatat joqeveritare dhe akterët tjerë relevantë që të jenë monitorues dhe bashkëpunues.
Po ashtu, gjatë takimit u adresuan edhe disa çështje tjera në lidhje me problemet e caktuara në lidhje me: Ligjin për Sinjalizuesit, Ligjin e Kodit të Procedurës Penale si dhe nevoja për hartimin e rregullores për mbrojtjen e sinjalizuesve.
Ministrja Haxhiu u garantoi përfaqësuesve të shoqërisë civile transparencë dhe bashkëpunim në hartimin e politikave të Ministrisë së Drejtësisë.