Gjendet trupi i dëshmorit Habib Grajqevci, rivarroset në Obiliq
Sot u bë rivarrimi i dëshmorit Habib Grajqevci në varrezat e Hashanëve në Obiliq. Habib Grajqevci u vra në vitin 1999 nga forcat serbe, por eshtrat e tij u gjetën javën e kaluar.
Ceremonia e rivarrimit të të zhdukurit u bë nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në prani të përfaqësueseve të Qeverisë së Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i shprehu ngushëllime familjarëve të të pagjeturit duke i premtuar se Qeveria e re do të bëjë të pamundurën për të gjetur vëllezërit e Habibit dhe të pagjeturit e tjerë.
“Qeveria e re do të ketë qasje tjetër karshi të pagjeturve që Serbia nuk i ka kthyer në Kosovë. Une sot jam këtu për të shprehur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të kthyer të pagje turit. Do të jetë prioritet i qeverisë sonë që edhe vëllezërit e Habibit të prehen të qetë dhe të kthehen pranë tij dhe pranë familjarëve… Institucionet e Republikës së Kosovës do të punojnë pandalë për t’i kthyer të pagjeturit”, deklaroi Haxhiu.
Ibush Mjekiqi, nënkryetari i Komunës së Obiliqit duke i shprehur ngushëllime familjes, ka kërkuar nga institucionet që të bëjnë çmos për të pagjeturit dhe kthimin e trupave të tyre në Kosovë.
“I shprehim ngushëllime familjes së bashkëvendësit tonë Habibit i cili dha jetën për lirinë e Kosovës. Kërkojmë nga institucionet që të bëjnë çdo gjë të mundshme për gjetjen e këtyre viktimave që për fat të keq ende janë shumë të pagjetur”, deklaroi Mjekiqi.
Familja Grajqevci ka të zhdukur edhe dy djemë të tjerë Xhevat e Nebih Grajqe vci, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur ende.