Grenell: Konflikti Kosovë -Serbi, Ballkani ka rrugë të gjatë të normalizimit
Përfaqësuesi Special Presidencial i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i ka cilësuar si të vogla dy marrëveshjet e arritura ditë më parë mes Kosovës dhe Serbisë në Berlin.
Në një intervistë për HughHewitt, Grenell ka thënë se pavarësisht progresit të bërë, rruga drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi është e gjatë.
“Unë mendoj se kur gjendesh në mes të një diçkaje siç janë bisedimet Kosovë-Serbi, atëherë ke prirje që patjetër të kuptosh se gjërat dallojnë dhe ndryshojnë. Dhe kemi arritur disa marrëveshje të vogla. Por unë ende e shoh se rruga përpara është shumë e gjatë në përpjekjet tona për t’i normalizuar marrëdhëniet. Por tani kemi bërë pak progres”, ka thënë Grenell.
Ai ka treguar është shprehur i gatshëm që të diskutojë më Prishtinën dhe Beogradin zyrtar sapo Trump i ka kërkuar që të vërtetojë nëse Kosova dhe Serbia ishin të gatshme për të arritur një marrëveshje.
Emisari special thotë se pas diskutimeve që ka pasur në Kosovë dhe Serbi ka parë që palët dëshirojnë normalizim të marrëdhënieve në rrafshin ekonomik, dëshirë kjo që Grenell thotë se më pas u ka definuar edhe synimet për normalizimin e tregut mes dy shteteve, duke vënë në rend të parë linjën ajrore dhe hekurudhore.
“Kur presidenti Trump më kërkoi ta vërtetoja nëse liderët e Kosovës dhe Serbisë ishin të interesuar për të arritur ndonjë lloj marrëveshje, unë i nisa bisedimet. Takimi im i parë ka qenë me komunitetin e biznesit nga dy palët dhe ajo çfarë kam zbuluar është që ata vërtetë dëshironin t’i normalizonin marrëdhëniet në rrafshin ekonomik. Dhe kështu krijuam synimin për mënyrën se si ta normalizojmë tregun. Ajo çfarë kuptuam ishte që të normalizoheshin linja ajrore dhe hekurudhat. Ne donim që të kishin një fluturim të parë Prishtinë-Beograd pas 21 vjetësh. Kështu që e filluam punën për një gjë të tillë dhe ishim në gjendje të arrinim një marrëveshje. Synimi i vërtetë i Trumpit është të shfrytëzojë ekonominë për t’i çuar përpara proceset politike”, ka thënë Grenell.
Në këtë intervistë Grenell ka folur edhe sa i përket luftës së fundit në Kosovë. Ai thotë se atë kohë kur kishte nisur karrierën e tij politike, problemi Kosovë-Serbi ka qenë një prej temave më të nxehta me të cilat përballej atë kohë Bill Clinton dhe NATO.
Richard Grenell thotë se konflikti dhe lufta e ndodhur gjatë viteve të 90-ta i ka formësuar pikëpamjet për Ballkanin dhe Evropën dhe sipas tij tashmë është një nder teksa gjendet në një pozicion ku synon pajtimin e palëve.
“Kur e kam nisur karrierën time politike kjo ishte tema më e nxehtë në të cilën po punonte administrata e Klintonit, dhe NATO ishte e përfshirë në të. Mendoj se vërtetë ishte një konflikt dhe luftë që ma fromësoi mua mendimin për Ballkanin dhe Evropën. Prandaj është nder për mua të jem këtu duke u përpjekur t’i pajtojë palët”, shton tutje ai.
Grenell thotë se në një stil tipik të administratës së Trump janë duke i shtyrë përpara palët për t’u pajtuar nëpërmjet një ideje autentike amerikane.
Tutje emisari special ka kërkuar që në Prishtinë e Beograd t’i lënë anash problemet politike derisa të krijohet një momentum ekonomik.
“Por mendoj, në stil tipik të administratës së Donald Trump, ne po i shtyjmë palët që të pajtohen, dhe po përpiqemi të mos kemi këtë lloj ideje amerikane që është e importuar, por t’i themi presidentit Vucic, Thaci dhe Albin Kurti, se a e keni vullnetin politik për të ecur përpara, për të krijuar vende punë për të rinjtë dhe për ta ndryshuar ekonominë? Dhe mendoj që përgjigja është po, edhe pse situata politike është e vështirë. Unë vazhdoj të iu them palëve ne po përpiqemi të koncentrohemi në ekonomi dhe do të provojmë të krijojmë vende pune për të rinjtë në mënyrë që ata të mos largohen nga rajoni. T’i lëmë më një anë problemet politike derisa ta krijojmë një momentum në ekonomi”, ka përfunduar Grenell.