Deklarata e Kurtit për heqjen e taksës, rikthen protestat (VIDEO)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me të marrë pozitën e kreut të ekzekutivit ka deklaruar se do ta heq taksën 100% ndaj produkteve serbe, duke e zëvendësuar me reciprocitet.
Kjo taksë e vënë nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, tash po mbrohet nga partia e tij.
AAK nuk i ka përjashtuar protestat si kundërshtim për heqjen e taksës, raporton FaktePlus.
Kjo gjë u bë e ditur sot në një konferencë për media pas takimit të jashtëzakonshëm të grupit parlamentar të AAK-së.
Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj ka thënë se do të diskutojnë edhe me pjesën tjetër të opozitës për të siguruar nënshkrimet që i duhen për seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje.
“Sa i përket taksës jemi të vendosur që të shfrytëzojmë të gjitha metodat, por, në asnjë moment nuk i përjashtojmë edhe protestat dhe veprimet tjera sepse Kosova gabon shumë rëndë nëse e hjek taksën dhe ja lejon tregun Serbisë, me çka do të ulet në tavolinë dhe të mendojsh për reciprocitet”, ka thënë ai.
Ndërsa, Gazmend Abrashi, deputet i AAK-së tha se partia që ai përfaqëson do të argumentojë pse taksa duhet të qëndrojë.
“Aleanca do të përdorë të gjitha mjetet demokratike, për të vazhduar mbajtjen e taksës. Ne do të vazhdojmë të punojmë me komunitetin e biznesit që të sjellim argumentet pse taksa duhet të qëndrojë”, tha Abrashi.
Ai shtoi se Aleanca poashtu është për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.
Ndryshe, emisari i president Donald Trump, Richard Grenell ka kërkuar heqjen e taksës, e po ashtu duke kundërshtuar edhe vendosjen e reciprocitetit./FaktePlus