Rrahmani: E ëndërroja Evropianin e Botërorin me Shqipërinë, tani e pres me Kosovën
Qendërmbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, ka thënë se ai e kishte pasur ëndërr të luante në Kampionatin Evropian ose në Kupën e Botës me Kombëtaren e Shqipërisë, megjithatë, pasi që kjo ëndërr nuk iu realizua, ai tani presë ta arrijë atë me Kosovën.
Amir Rrahmani e ka mbajtur shiritin e kapitenit në disa ndeshje të rëndësishme të Kosovës në rrugëtimin në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian. Përkundër që Kosova s’e arriti kualifikimin përmes grupit, Rrahmani mund ta ëndërrojë ende pjesëmarrjen në EURO 2020, transmeton Gazeta Express.
Kosova mund të kualifikohet në Evropian nëse e fiton ndeshjen gjysmëfinale kundër Maqedonisë së Veriut, në kuadër të play-offs, si dhe pastaj në finale kundër Gjeorgjisë ose Bjellorisë. Të dyja këto ndeshje do të zhvillohen në muajin mars.
Rrahmani e ka ëndërruar që një kohë të gjatë kualifikimin, mirëpo ai fillimisht kishte shpresuar ta realizonte këtë ëndërr me Kombëtaren e Shqipërisë – për të cilën, para se t’i bashkohej Kosovës, i kishte bërë dy paraqitje, ndërsa për ekipin U21 kishte luajtur në 21 ndeshje.
“Kombëtaret e vogla e kanë ëndërr Evropianin ose Botërorin dhe unë ë ëndërroja me Shqipërinë por nuk u realizua, tani pres ta arrij me Kosovën”, ka thënë Rrahmani, në një intervistë të dhënë për Top Channel.
Rrahmani, që tani luan në Serie A për klubin italian Hellas Verona, ka pasur mjaft suksese në kampionat. Verona është kthyer në hirushen e kampionatit italian duke surprizuar të gjithë me rezultatet pozitive madje të shtunën e lënë pas mundën Juventusin.
“Të luash ndaj këtyre klubeve është gjithmonë e vështirë. Juventus na mundi ndeshjen e parë 2-1 kështu që është pak a shumë si hakmarrje e jona”, shtoi Rrahmani.
“Nëse një futbollist shqiptar luan mirë atëherë ai i hap derën edhe futbollistëve të tjerë edhe Lazio siç u ka hap derën futbollistëve shqiptarë edhe këtu e kanë derën e hapur. Vendimi ishte i Veronës sepse e kishim një objektiv të përbashkët që të qëndronim në Serie A, por tani mendoj se ky objektiv është rrit. Edhe pse ende nuk është e sigurtë mbijetesa, duke qenë se jemi në vendin e gjashtë janë ndryshuar synimet tona”./FaktePlus