Së paku pesë të vrarë nga sulmi vetëvrasës
Të paktën pesë persona kanë mbetur të vrarë pas një sulmi vetëvrasës në akademinë ushtarake të kryeqytetit afgan, Kabul.
Asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin që ndodhi pas pothuajse tre muajve të qetësisë relative në këtë qytet, transmeton Gazeta Express.
“Rreth orës 7 të mëngjesit të sotëm, një sulmues vetëvrasës i aktivizoi mjetet shpërthyese, duke i lënë të vrarë pesë persona, përfshirë dy civilë dhe tre pjesëtarë të personelit ushtarak. Dymbëdhjetë u plagosën, përfshirë pesë civilë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi.
Një dëshmitar afër vendit të ngjarjes në pjesën perëndimore të Kabulit tha se shpërthimi ndodhi afër akademisë ushtarake “Marshal Fahim”, shkruan “The Guardian”.
“Ishte një shpërthim i madh që e dridhi shtëpinë tonë. Ne gjithashtu dëgjuam të shtëna armësh më pas. Autoambulancat shkuan shpejt në vendin e ngjarjes”, tha dëshmitari i prezantuar me emrin Samiullah.
Javëve të fundit, talibanët janë përmbajtur nga sulmet në qendrat kryesore urbane në përpjekje për t’i ruajtur bisedimet me Shtetet e Bashkuara, ndonëse dhuna në provinca ka vazhduar.