KEDS-i reagon ndaj biznesmenit kosovar që i denoncoi ata për vjedhje
KEDS ka thënë se nuk është vjedhur konsumatori i kompanisë, njëkohësisht pronari i firmës “Meka Halal Food”, Pirro Pirraj, i cili e ka denoncuar sot këtë kompani “për vjedhje në fatura të energjisë elektrike”.
Këtë denoncim Pirraj e ka bërë përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, me ç’rast ka treguar se si në faturë i janë shtuar disa euro pa asnjë mbulesë.
Ai ka fotografuar faturat që i ka pranuar nga kjo kompani për pagesën e shfrytëzimit të energjisë elektrike dhe aty shihet se si shuma e caktuar për pagesë është fryrë në fund.
Më tej biznesmeni jep edhe sqarimin se si po ndodhin këto keqpërdorime, përmes faturave.
“Fatura në të majtë, njëjtë sikurse tek ajo në të djathtë, borxhi ka qenë 0, mirëpo në faturën në të majtë pagesa në fund është 3,21 euro më shumë se shuma e cila do të duhej të paguhej!. Pra, në vend se totali për pagesë të ishte 38,77 sepse aq është realisht, është 41,98 euro, për 3,21 euro më shumë, pa asnjë arsye!”, ka shkruar Pirraj.
Tutje Pirraj këtë shtim të shumës për pagesë e ka quajtur hajni klasike, duke thënë se vlera është e vogël mirëpo dukuria është e madhe.
Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, në një shkrim sqarues dërguar në redaksinë e Insajderit, ka thënë se e vërteta lidhur me pretendimet e biznesmenit Pirraj, është ndryshe. Ka deklaruar se KEDS ka kontrolluar faturat e konsumatorit Pirro Pirraj dhe është konstatuar se “gjithçka është në rregull”.
“Pas kontrollimit të kalkulimit të faturave të kontestuara nga konsumatori KEDS konstaton se gjithçka është në rregull në këtë kalkulim. Diferenca prej 3.21 euro që aludon konsumatori është një faturë e muajit 12-2019 që nuk është paguar nga konsumatori. Pra, atij i është lexuar fatura cdo 21 të secilit muaj”, ka thënë Buzhala.
“Ai e bën prerjen ndërmjet datave 21 nëntor dhe 21 janar, pa e futur fare në kalkulim muajin dhjetor. Pra, ju informojmë se punëtori i leximit ka tentuar të bëje leximin e konsumatorit me datë 21.12.2019 mirëpo nuk është krijuar qasje për lexim të njehsorit andaj fatura e muajit Dhjetor 2019 është kalkuluar vetëm me tarifë fikse pasi që është konstatuar se nuk ka pasur ndonjë shpenzim, sic e parasheh edhe sistemi tarifor i Kosovës për energji elektrike i miratuar nga ZRRE”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it.