Gazetari serb mbështet idenë e Kurtit për dialog me serbët e Kosovës
Dialog poshtë-lart, përkatësisht dialog me serbët e Kosovës ka premtuar kryeministri Albin Kurti, para se të arrijë marrëveshje me Serbinë.
Inicimin e një dialogu të tillë e mirëpret Branislav Kërstiq, i cili është gazetar dhe analist që vepron në Mitrovicën e veriut, komunë kjo e cila popullohet me shumicë serbe dhe udhëhiqet prej Listës Serbe.
“Qytetarët e rëndomtë serbë në veri e kuptojnë se me qasjen ‘partizane’ të Prishtinës nuk mund të ketë integrim. Kujtoj rastin e presidentit Thaçi, i cili vitin e kaluar erdhi dhe lundroi nëpër Gazivodë, në veri duke ‘kërcënuar’- me shefin e policisë dhe inteligjencës. Mendoj se Albin Kurti e ka kuptuar se kjo nuk është qasja që duhet aplikuar në raport me serbët”, ka thënë Kërstiq.
Ai ka shtuar se Kurti do të duhej ta vizitonte veriun pa ndonjë bujë të madhe, pa spektakle me ushtri e polici.
“Asnjë kryeministër për 20 vjet nuk ka ardhur në veri të bisedojë me qytetarët. Shumë serbë janë arrestuar prej regjimit të Beogradit. Për ata qytetarë Kurti është i mirëseardhur. Ne aktualisht jemi veç monedhë kusuri, me të cilin Vuçiqi bën pazare”, ka theksuar Kërstiq. “Kurti deri tani nuk ka çuar sinjal se do të vjen me polici apo ushtri. Nëse dikush tenton ta kërcënojë apo ta sulmojë, kjo do të ndodhte vetëm me direktivat e Vuçiqit. Fatkeqësisht tërë veriun e kontrollon regjimi i Vuçiqit. Por sa e njoh, Albini nuk ka pasur frikë as në kohën e Milosheviqit, duket se nuk ka frikë as tash. E ka rrugën çel për ta vizituar veriun”.
Në prezantimin e programit para deputetëve, Kurti nuk ka treguar nëse do ta vizitojë veriun. Por është shprehur i gatshëm t’i udhëheqë bisedimet e ardhshme me Serbinë, duke thënë se do të ketë një ekip gjithëpërfshirës për bisedime, në kuptimin politik, etnik, shoqëror dhe profesional.
Sipas Kurtit, dialogu do të zhvillohet për çështjet e raporteve bilaterale dhe të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu çështjen e të pagjeturve, reparacioneve të luftës e okupimit, suksesionit të ish-Federatës Jugosllave, në të cilën Kosova ishte element konstituiv, si dhe për njohje të ndërsjellë midis dy shteteve.
Analisti Kërstiq thotë se, shumica e serbëve janë kundër ndarjes dhe dëshirojnë të jetojnë brenda shtetit të Kosovës.
“Ky nuk është një mendim vetëm i imi, por edhe i njerëzve që janë të befasuar se si Beogradi duke e kontrolluar veriun me mafinë e tij, luan lojëra me serbët, ndërsa Prishtina nuk reagon”, ka theksuar Kërstiq, i cili deri në vitin 1999 ka jetuar në Gjakovë. Por, sipas tij, të pashmangshme do të jenë temat që prekin asetet strategjike të Kosovës, siç është Gazivoda, përkatësisht rrjeti energjetik në veri.
Deri tani nuk ka pasur konsensus rreth temës që ka dominuar agjendën e qeverive të kaluara, duke shkaktuar madje përplasjet më të mëdha. Po ashtu, nuk dihet cili do të jetë roli i presidentit Thaçi, i cili prej vitesh ka lansuar idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë.