E konfirmon deputetja e VV-së: Kurti ulë pagat që i rriti Haradinaj
Deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë konfirmuar se taksa ndaj Serbisë pritet të hiqet duke u zëvendësuar me reciprocitet.
Deputetja e kësaj partie, nga rajoni i Gjilanit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka deklaruar se heqja e taksës pason edhe me uljen e pagës së kryeminsitrit.
“I pari kryeministër që ndër vendimet e para të tij, vendos uljen e pagës së vet dhe kabinetit të tij. Për dallim të atij tjetrit që ia bëri vetes pagën 3000 euro, me arsyetimin se sa më e lartë paga, mundësitë me vjedhë më të vogla. Ama paska edhe pagë të ulët edhe dinjitet për shtet. Edhe tarifa po hiqet. Shkojmë me reciprocitet”, ka shkruar ajo.
Gjatë ditës së djeshme Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka raportuar se shumë shpejtë kryeministri Kurti do të anulojë vendimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj që ka të bëjë me paga.
“Kryeministri Albin Kurti këtyre ditëve pritet që ta anulojë vendimin e ish- kryeministrit Ramush Haradinaj të datës 20 dhjetor të vitit 2017 ku ia rriti vetes pagën dhe një pjese të kabinetit të tij qeveritar”, ka thënë ky burim për FaktePlus.
“Dhurata” e parë nga Kurti, merr vendim t’i ulë pagat që i rriti Haradinaj
Ndryshe, kryeministri i Republikës, Albin Kurti ka deklaruar gjatë ditës së sotme se tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit.
Sipas tij, tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti.
“Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%. Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar ai./FaktePlus