Distria Krasniqi në çerekfinale, mposht francezen në Paris
Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, i ka shkuar një hap më afër medaljes së artë në Grand Slamin e Parisit, pasi që fitoi në rundin e tretë për ta zënë një vend në çerekfinale të kategorisë deri në 52 kilogramë.
Distria Krasniqi u tregua shumë e fortë për xhudistin franceze Penelope Bonna dhe e mposhti atë në shtëpinë e saj, pasi që turneu po zhvillohet në Paris, duke e zënë kështu një vend në çerekfinale.
Kosovarja e kishte kaluar rundin e parë pa luftë, ndërsa në rundin e dytë u tregua shumë e fortë për algjerianen Flaza Aissahine.
Kosova po përfaqësohet me tri garuese në turneun e xhudos, “Paris Grand Slam 2020”, njëra prej të cilave është edhe Distria Krasniqi. Edhe pse pritej që pjesë e këtij turneu të ishte edhe Majlinda Kelmendi, trajneri Driton Kuka e tërhoqi atë në momentet e fundit.
Xhudistja kosovare Nora Gjakova e filloi me fitore Grand Slamin e Parisit, pasi që ishte shumë e fortë për xhudisten nga Azerbajxhani, Alexandra-Larisa Florian, në përballjen e rundit të dytë, pasi rundin e parë e kaloi pa luftë.
Edhe Laura Fazliu e nisi me këmbë të mbarë rrugëtimin në kategorisë deri në 63 kilogramë, në Grand Slam Paris 2020, duke siguruar fitore kundër turkes Minel Akdeniz me ippon në rundin e parë, ndërsa në rundin e dytë e pret koreania Hee Ju Han.