Shumë kandidatë për kreun e Podujevës
Gjatë ditës së djeshme është caktuar data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të mbahen në komunën e Podujevës, por partitë politike ende nuk i kanë publikuar zyrtarisht emrat e kandidatëve, të cilët do t’i përfaqësojnë në garën e 15 marsit.
Sidoqoftë, ditëve të fundit në opinion janë përmendur një sërë emrash si të mundshëm për të qenë kandidatë të subjekteve politike në këto zgjedhje.
Pas dorëheqjes së nënkryetarit të LDK-së Agim Veliut nga pozita e kryetarit të Podujevës, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë, të cilat do të mbahen më 15 mars të këtij viti. Si rrjedhojë e kësaj partitë politike kanë nisur të përgatiten për procesin e ri zgjedhor në Podujevë.
Ato madje kanë paralajmëruar se shumë shpejt do të dalin me emrat zyrtarë të kandidatëve me të cilët pretendojnë ta fitojnë komunën, që deri para pak ditësh e udhëhiqteAgim Veliu, i cili tashmë është zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme, shkruan zeri.
Ndonëse subjektet politike ende nuk i kanë zyrtarizuar kandidaturat, në medie tashmë janë lakuar emrat e disa personave, të cilët mund të jenë në garë për të parin e Podujevës.