“Shërbimi ushtarak merr disa vite për t’u realizuar”
Gjenerali ushtarak Hisen Berisha është shprehur i bindur se shërbimi i detyrueshëm ushtarak – që është pjesë e programit qeverisës të kryeministrit Albin Kurti – është i realizueshëm.
Berisha në emisionin “Blic InterView me Astrit Gashin” ka deklaruar se implementimi i këtij projekti nga qeveria Kurti do të marrë disa vite kohe.
“Gjithçka është e mundur në aspektin teorik, por ka disa vështirësi që këtë projekt do ta prolongojë për disa vite”.
Ish-drejtuesi i UÇK-së beson se ideja e shërbimit ushtarak është e pranueshme për të gjithë qytetarët.
“Ideja qeveritare si e tillë ka një lloj pranueshmërie emocionale, por unë këtë e kisha lidhur me karakterin fisnik të shqiptarëve dhe gjithmonë e kemi dashur ushtrinë. Ne nuk guxojmë të shkelim mbi këtë pranueshmëri”.
Sipas tij, tradita e shërbimit ushtarak obligon qytetarët që të përfundojnë ushtrinë në periudhë tremujore dhe pastaj t’i kthehen jetës së lirë.