Gazetari britanik pas 21 vjetësh kthehet në Prizren, dëshmon për masakrën e Krushës
Gazetari John Sweeney pas 21 vjetësh është kthyer sërish në Prizren.
Nga Londra ai, këtë të premte, ka ardhur në Gjykatën Themelore të Prizrenit për të paraqitur dëshminë e tij në gjykimin për krime lufte në Krushë të Vogël ndaj Darko Tasiqit.
Gazetari i cili në atë kohë raportonte për luftën dhe shpërbërjen e ish-Jugosllavisë kishte realizuar një dokumentar për masakrën e Krushës së Vogël.
Ai ka dëshmuar para trupit gjykues se si pas përfundimit të luftës në Kosovë, në qershor të 1999-s, kishte shkuar në këtë fshat, e të cilin e kishte gjetur të zbrazët e të shkatërruar.
“Krusha e Vogël ishte e zbrazët, shtëpitë shqiptare ishin djegur, shtëpitë serbe ishin të zbrazëta dhe ishin të padëmtuara. Unë kam hyrë në shtëpitë e serbëve në Krushë të Vogël, ku kam gjetur disa dokumente, ndër të cilat edhe dy lista të shkruara, njëra me orarin e veprimit të forcave paramilitare serbe, ndërsa tjera me emrat e këtyre pjesëtarëve, në të cilën ishte edhe emri i Darko Tasiqit”, ka thënë Sweeney.
Gazetari britanik, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, ka rrëfyer se si pasi kameramani i tij nuk kishte pranuar të xhironte në lumë, ku ishte kamioni me të cilin dyshohet se ishin bartur kufomat, ai ishte futur në ujë për të notuar, raporton KTV.
“Më kujtohet që kemi diskutuar me Xhejmsin, kameramanin, sepse unë besoja që kamioni është përdorur që t’i marrin kufomat dhe t’i hedhin në lumë pasi vrasësit e kanë pasur të sigurt që të gjitha kufomat do të zhyten në ujë. Çfarë unë pashë, është gjak që kishte mbetur i ngjitur dhe një asht të vogël. I kam thënë NATO-s dhe Administratës në atë kohë që të bëjnë një kontroll forenzik të kamionit, por kjo nuk ka ndodhur”, shtoi Sweeney.
Dëshmitari është sfiduar me pyetjet e mbrojtjes lidhur me dëshminë e tij që kishte dhënë në Hagë gjatë gjykimit të pesë gjeneralëve serbë.
“A kam të drejtë të them që kujtesa juaj lidhur me këtë krim ka qenë më e freskët gjatë viteve 2005/06, gjatë dhënies së dëshmisë në Tribunalin e Hagës, sesa sot? Gjatë dëshmisë suaj në Hagë, lidhur me këto gjurmë të gjakut, ju keni deklaruar diçka tjetër nga ajo që thatë sot. Unë do ta citoj këtë pjesë, ku ju keni deklaruar “se ka pasur diçka që m’u kanë dukur si njolla të shumta të gjakut”, nëse mund ta interpretoj, nuk ishit decidivisht se ka të bëjë me gjak, por ju është dukur se mund të ishte gjak, a mund të na shpjegoni?”, ka thënë Ljubomir Pantoviqi, avokat i Darko Tasiqit.
“S’e kam përmendur, sepse në Hagë askush nuk ma ka parashtruar këtë pyetje. Në Hagë fokusi ka qenë lidhur me orarin e paramilitarëve, ndërsa sot është fjala, dhe po pyetem lidhur me kamionin, se kujtesa ime për të dy dëshmitë është shumë e qartë. Gjaku që kam parë aty dhe ashti më shtyjnë të besoj se ai kamion është përdorur që të fshihet krimi”, shtoi Sweeney.
Gazetari britanik kishte xhiruar dokumentarin me dëshmitarë e të mbijetuar të masakrës në Krushë të Vogël, e një pjesë të tij e kishte realizuar edhe në Shqipëri me refugjatë të këtij fshati.
Seanca e radhës në këtë rast, ku akuzohet Darko Tasiqi për krime lufte ndaj popullatës civile në Krushë të Vogël, do të mbahet më 30 mars.
Tasiqi është në paraburgim që nga viti 2017.