Selimi për reciprocitetin: Kosova do të shënojë avancim në raport me Serbinë
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi thotë se mbështesin qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti për zëvendësimin e taksës me masë reciprociteti me Serbinë.
Selimi thotë se si Grup Parlamentar do të mbështesin në plotni qëndrimet e Qeverisë Kurti pasi që beson se është një projekt që meriton mbështetjen edhe të opozitës.
“Ne në parlamentin e Kosovës, tashmë jemi mazhoranca dhe do të jemi në mbështetje të qeverisë Kurti. Jam shumë i sigurt që nuk do të kemi nevojë që ta kritikojmë, po të ketë nevojë do të bënim por nuk do të kemi nevojë. Sepse qeveria Kurti, tashmë është një projekt i cili kërkon mbështetjen jo vetëm të mazhorancës por besoj do ta përvetësojë mbështetjen edhe të opozitës. Në projekt i cili do të sillet në Kuvendin e Kosovës, por do të jemi të gatshëm ta mbështesim projektin i cili dihet tashmë se cili është”, thotë ai.
Shefi i deputetëve të VV-së, thotë se reciprociteti është kërkesë e kamotshme e Lëvizjes Vetëvendosje dhe për këtë thotë se është protestuar dikur edhe në pikat kufitare në Merdarë e Dheu i Bardhë.
“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do ta mbështesë qeverinë Kurti, edhe në qëndrimet sa i përket taksës ose zëvendësimit të taksës me masa reciprociteti me Serbinë. Pra taksa ndaj mallrave serbe do të zëvendësohet me, që i bie do të avancohet edhe në rrafshin politik me masa reciprociteti qëndrim të cilin e kemi pasur tash e sa vite ose prej se është kjo çështje në diskutim qëndrim të cilin e kemi mbështetur dhe me aktivitet tona konkrete duke përfshire në kuvendin deri në protesta në kufi. Për opinionin ndoshta ju kujtohen protestat tek Dheu i Bardhë edhe në Merdarë pra atë qëndrim që kemi pasur atëherë sa i përket mallrave serbe e kemi edhe tash, sepse ne duhet të zbatojmë masa reciprociteti, në rrafshin ekonomik, politik”, thotë ai.
Përveç efektit ekonomik, Selimi thotë se reciprociteti do të ketë edhe efekt politik dhe se Kosova do të shënojë avancim në raport me Serbinë.
“Reciprociteti do të ketë efekt politik përtej efektit tregtar që ka taksa. Ne kurrë nuk kemi thënë që taksa është e keqe madje reciprociteti mund të përfshijë masa tarifore në raste te ngjashme. Kështu që mendoj që është avancim raporti i Kosovës ndaj Serbisë edhe në rrafshin politik nëse zbatojmë masa reciprociteti në rrafshin politik, ekonomik dhe tregtar qoftë përmes një takse po që se tarife tregtare apo të ngjashme”, thotë ai.
Selimi thotë se reciprociteti nuk i hap rrugë prodhimeve serbe ndërkohë që thotë se tashmë populli është vetëdijesuar karshi mallrave serbe, të cilat nuk duhet konsumuar më.
Ai thotë se nuk mjafton vetëm taksa por duhen masa multidiciplinare, siç është reciprociteti i plotë.
“Nuk nënkupton që reciprociteti i hap rrugë që të pushtohet tregu i Kosovës. Tregu i Kosovës nuk mbrohet vetëm me një masë, por me masa multidiciplinare e këto masa mund t’i kemi vetëm në politikat e gjithëpërfshirëse që në këtë rast bëhet fjalë për reciprocitetin. Mallrat serbe as nuk duhet t’i pranojmë në shtëpitë tona as nuk duhet t’i blejmë. Duhet që qeveria e Kosovë të ketë masa mbrojtëse për prodhuesin vendor për tregun e Kosovës. Nëse do të merren masa për prodhuesin vendor atëherë mallrat serbe nuk do të hyjnë në Kosovë”, thotë ai, për eo.
Selimi foli edhe për Gjykatën Speciale për të cilën thotë se VV-ja ka qenë kundër themelimit të saj, ndërsa tashmë shton se është vonë për t’u shfuqizuar, pasi që duhen bërë ndryshime kushtetuese.
“Qëndrimi VV për Gjykatën Speciale është i njëjtë çfarë kemi pasur në kohën kur e kemi kundërshtuar dhe është një padrejtësi ndaj luftës se drejtë të popullit shqiptar të Kosovës për liri ose të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prej që është votuar dhe e kemi kundërshtuar me ngulm por ka marrë më shumë se dy të tretat e votave të parlamentit të Kosovës. Tash është ligj i Kosovës dhe është pjesë e Kushtetutës dhe ne e dimë se cilat janë kapacitetet dhe mundësitë që të ketë ndryshime kushtetuese kur dihet që ndryshimet kushtetuese kërkohet shumica e dyfishtë. kështu që tash për tash nuk e kemi të mundur de-fakto realizimin e një gjëje të tillë, pra jemi në një fazë të vështirë sepse e kanë vështirësuar ata që e kanë votuar”.
“Ata që e kanë votuar e kanë ditur që në aspektin politik është vështirë të ndryshohet, andaj ne tash për tash na kanë sjellë në një situatë të parikthyeshme sa i përket këtij raporti, sido që të jetë qëndrimet tona për Gjykatën Speciale janë të njëjta sikurse në ditën e votimit, ashtu siç e kemi kundërshtuar atëherë mendojë që kemi bërë mirë duke e kundërshtuar si një padrejtësi ndaj luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, përfundoi ai.