Disa lagje në kryeqytet mbesin pa ujë
Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se në rrugën “Hani i Dilit” në Prishtinë është dëmtuar një tub i ujit.
Bëhet e ditur se ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit janë në vendin e ngjarjes me të gjitha mjetet e punës pë sanim.
“Për shkak të pengesave të shumta të kabllove elektrike të vendosura mbi atë gyp dhe thellësisë së gypit prej rreth 2 metrash, punët janë vështirësuar në ndërkohë, por ekipet me çdo kusht dhe punë të pandërprerë, në afatin sa më të shkurtë do ta rikthejnë furnizimin me ujë të pijshëm për lagjet dhe rrugët: “ Bajram Bahtiri”, rruga e “ Llapit”, rruga “ Lidhja e Prizrenit” te Tregu i Gjelbërt, rruga” Ramë Govori”, rruga” Drenica 1” rruga” Vëllezërit Fazliu”, “ Mbreti Piro”, “Mic Sokoli” dhe disa rrugicë në atë zonë”.
“Vështirësitë e dala përgjatë sanimit të defektit kanë zgjatur punimet e paplanifikuara.
Kërkojmë mirëkuptim nga të gjithë konsumatorët e zonave të lartëcekura”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit./FaktePlus