Pacolli, Rafuna e Tahiri ende ministra edhe në Qeverinë Kurti
Sot bëhen katër ditë që kur është votuar qeveria e re, me kryeministër Albin Kurtin.
Kjo qeveri në përbërje të saj ka 15 ministri, ku gjashtë janë rezervuar për Lëvizjen Vetëvendosje, gjashtë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe tri për komunitetet, shkruan FaktePlus.
E, tashmë deri sa kabineti është votuar, ish- ministrat që nga dje kanë filluar t’i dorëzojnë detyrat tek pasardhësit e tyre.
Detyrën e re, tashmë e kanë pranuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ai i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi , ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa , ministri i Mbrojtjes, Anton Quni e ministra të tjerë.
Po ashtu, pranim dorëzimi i detyrës së ministrave po vazhdon edhe gjatë ditës së sotme.
Mirëpo, pavarësisht që tashmë ministrat e ri kanë pranuar detyrat e tyre, në shumë ministri në webfaqet zyrtare ende figurojnë emrat e ish-ministrave.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu edhe pse dje ka pranuar detyrën nga ish-ministri, Abelard Tahiri dhe ka filluar punën e saj, në webfaqe ende si ministër i Drejtësisë figuron emri i Abelard Tahirit.
Njëjtë është edhe në webfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Këtu pos që nuk është ndërruar emri i ish-ministrit Behgjet Pacolli për t’u zëvendësuar me atë të Glauk Konjufcës, nuk është ndërruar as emri i ministrisë, pasi që kjo ministri tash e tutje do të njihet si ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ndryshimi nuk është bërë as në webfaqen e Ministrisë së Financave, ku tashmë ministër i ri, është Besnik Bislimi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Aty ende si ministër i këtij dikasteri figuron emri i Lulzim Rafunës.
Por, në qeverinë Kurti ka ministri edhe pa ministër.
Bëhet fjalë për Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ku ministre është emëruar, Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por në wefaqen e kësaj ministrie nuk figuron emri i asnjë ministri.
Qeveria Kurti është votuar të hënën më 66 pro, ansjë kundër dhe dhjetë abstenime./FaktePlus