Stuhitë e forta dhe reshjet e borës, në dy komuna sot nuk mbahet mësimi
Gjatë ditës së sotme në Komunën e Istogut dhe të Dragashit nuk do të mbahet mësim për shkak të stuhive të forta dhe reshjeve të mëdha të borës.
Përmes një njoftimi për medie, Komuna e Istogut ka bërë të ditur se kjo ditë e humbur e mësimit do të kompensohet.
“Të nderuar mësimdhënës, nxënës dhe prindër ju njoftojmë se nesër e enjte me 06.02.2020, nuk do të mbahet mësim në institucionet arsimore të Komunës së Istogut, si shkak i kushteve atmosferike të krijuara në komunën tonë, ku në pjesën me të madhe mungon furnizimi i rregullt me energji elektrike dhe si pasojë e kësaj gjendje është e pamundur mbajtja e mësimit të rregullt”, thuhet në njoftim.
Po ashtu edhe Komuna e Dragashit, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se për shkak të motit të ligë dhe rrezikshmërisë që mund të hasin nxënësit gjatë udhëtimit për në shkollë, është vendosur që të pezullohet mësimi për ditën e sotme.
Ndërkaq dita e humbur e mësimit do të zëvendësohet në një të shtune gjatë këtij gjysmëvjetori.
“Njoftohen të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e komunës së Dragashit se për shkak të reshjeve të shumta të borës, erërave të forta dhe rrezikshmërisë që mund të hasin nxënësit gjatë udhëtimit për në shkollë, drejtoria e arsimit në Dragash ka marrë vendim që nesër me datë 06.02.2020 të pezullohet mësimi. Dita e humbur do të zëvendësohet në një ditë të shtunë. Mësimi i rregullt vazhdon të premten me datë 07.02.2020“, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Dragashit./FaktePlus