Rrustem Berisha flet për postin që ia ofroi Anton Quni
Rrustem Berisha, sot ia dorëzoi detyrën zyrtarisht ministrit të zgjedhur Antoni Qunit. Por, ky i fundit, shokut të tij të luftës ia ofroi një post, atë të këshilltarit të tij.
Berisha, i cili është ministri i parë i Mbrojtjes, pasi FSK hyri në fazën e tranzicionit ku Ministria e FSK-së u transformua në atë të Mbrojtjes, tha se Forcën po e lë me mandat të ri, atë ushtarak, derisa për IndeksOnline, tregoi se ende nuk e ka pranuar ofertën e ministrit Quni.
“Është një ofertë nga ana e tij, unë jam i gatshëm t’i jap përkrahje çfarë do qoftë ajo, por është diçka që duhet mu shqyrtu.
Sepse unë nuk i iki asaj çfarë do që bëhet fjalë për ndonjë këshillë, apo për FSK-në, do të shohim si është varianti më i mirë për me kontribu, me qëllim për me pas sukses edhe në të ardhmen. Por, s’kam marr vendim a do të bëhem këshilltar i Qunit”.
Berisha foli edhe për pritjet e tij për Qeverinë e Re, ndërsa komentoi edhe një nga pikat e programit qeverisës që prezantoi Albin Kurti para deputetëve në seancën e 3 shkurtit, atë të kryerjes së detyrueshme të shërbimit ushtarak.
“Qeveria Kurti është e Kosovës dhe pres të punojë në interes të qytetarëve. I duhet kohë, i mbetet për me pa. Është ende herët, por çka do që ka nevojë me mbështet, duhet të gjithë të punojmë pa dallim. Partitë sot janë nesër s’janë, por është diçka interesi i shtetit më madhor. Jam i bindur që puna e secilit do të dëshmohet në të ardhmen.
Sa i përket kryerjes së shërbimit ushtarak, është zotim polik dhe e do një studim, një analizë më të theksuar, nëse e ka mendu që më pas karakterin edukativ- arsimor, mundet mu implementu në programe shkollore, por nëse e ka mendu si koncept 3 muaj me shku ushtar, është koncept i vjetruar, ka shumë pak shtete që e praktikojnë, sidomos ato të NATO-t, s’di a janë dy a tri”.
Ish-ministri i Mbrojtjes, kur foli për sukseset dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar ky institucion nën udhëheqjen e tij, ai tha se kanë përmbushur me sukses të gjitha aktivitetet e parapara, dhe 2019-ta ka qenë vit që ka bërë progres FSK-ja.
Derisa ai shtoi se Anton Quni do të vazhdojë me punë dhe angazhim edhe suksese dhe të arritura të reja.
I pyetur nëse oferta që ia bëri sot ministri i ri, ka të bëj me ndonjë rikthim të mundshëm në partinë e vjetër, atë të LDK-së, ai tha se kjo gjë s’do të ndodhë derisa Ramush Haradinaj të jetë në krye të AAK-së.
“Unë nuk jam person që lëviz dhe i ndërroj partitë dhe çka do që është në interes të FSK-së, do të kontribuoj, por në aspekt politik i kem partitë e ndryshme. Përderisa është Ramush Haradinaj udhëheqës i Aleancës unë nuk e ndërroj partinë”.