Ky është paralajmërimi i AAK-së për Kurtin, nëse e heq taksën
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po konsideron që heqja e taksës 100 për qind për Serbinë është gabim historik, dhe se për këtë AAK do të ndërmarrë masa konkrete.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se Albin Kurti, po dërgon lajme të mira për Serbinë e të këqija për prodhuesit e Kosovës, duke deklaruar se taksën 100 për qind do ta zëvendëson me reciprocitet.
“Taksa është vendos për shkak të fushatës agresive që Serbia ka përdor kundër Kosovës. Është gabim historik heqja e taksës, përderisa nuk kemi njohje reciproke. Zotëri Kurti, po dërgon lajme të mira për Serbinë e të këqija për prodhuesit e Kosovës. Politikisht veprim tepër i dëmshëm për vendin, por duket që ato pritjet nga folklori patriotik po zbehen para se të mendonim”, ka thënë Haradinaj për Telegrafi.
Haradinaj tha se lidhur me heqjen e taksës, do të ndërmarrin veprime konkrete.
“Njohja e Kosovës nga Serbia do të hiqte taksën automatikisht. Do t’i mbledhim nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme ose debat për këtë temë”, është shprehur ai.
Ndryshe, gjatë ditës kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se taksën 100 për qind do ta zëvendësojnë me reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar.
Ai është shprehur i bindur së për këtë do të marrë mbështetjen edhe të opozitës.
“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën në të njëjtën fjali asnjëherë, edhe për shkaqe historike edhe për arsye aktuale. e konsiderojmë se jemi këtu ku jemi si qeveri e re për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar. Edhe LDK edhe LVV edhe zonja Osmani edhe unë, mbi 60 për qind e votave kanë qenë praktikisht me parimin e reciprocitetit. Por unë besoj që edhe ata të cilët janë sot në opozitë dhe ata që nuk na votuan, por unë do të jem edhe kryeministër edhe i tyre, mund të mos pajtohen me mua me gjëra të ndryshme, por për reciprocitetin janë plotësisht dakord”, ka pohuar Kurti, para mediave.
Kujtojmë se taksa 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës është në fuqi që nga 10 nëntori 2018. Atë e kishte vendosur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj si përgjigje ndaj fushatës agresive të shtetit serb./FaktePlus