DASH: Mezi po presim të punojmë me qeverinë e re të Kosovës
Krijimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës e kanë përshëndetur edhe nga Departamenti i Shtetit Amerikan.
Zëdhënësja e DASH-it, Morgan Ortagus, ka thënë se mezi po presin që të punojnë në forcimin e partneritetit dhe për të punuar së bashku me qëllim të rritjes ekonomike dhe forcimit të sundimit të ligjit.
“Përgëzime për popullin e Kosovës pas krijimit të qeverisë së re. Ne mezi po presim të ndërtojmë partneritet të fortë dhe të punojmë së bashku për të nxitur rritje ekonomike, forcimin e sundimit të ligjit dhe për të mbështetur prosperitetin për njerëzit dhe për rajonin”, ka shkruar Ortagus në twitter.
Një porosi për Qeverinë e re është dhënë dje edhe nga Përfaqësuesi Special Presidencial, Richard Grenell, i cili ka kërkuar heqjen e menjëhershme të taksës me qëllim të rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi.
Congratulations to the people of #Kosovo on the formation of a new government. We look forward to building on our strong partnership and working together to foster economic growth, strengthen the rule of law, and support greater prosperity for the people of the region.
— Morgan Ortagus (@statedeptspox) February 4, 2020
Kosova më 3 shkurt ka themeluar institucionet e reja të cilat kanë dalë si rezultat i zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.
Pas disa muajsh ngecje, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kishin arritur të nënshkruajnë marrëveshjen për krijimin e qeverisë së re që do t’i prijë Albin Kurti.