Grupi i të pakënaqurve paditë FFK-në
Federata e Futbollit e Kosovës me 27.01.2020 e ka mbajtur Kuvendin e Rregullt Zgjedhor, ku janë votuar anëtarët e Komiteti Ekzekutiv të FFK-së.
Grupi i të pakënaqurve të cilëve iu prinë trajneri i Llapit, Tahir Batatina e ka paditur Federatën e futbollit të Kosovës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për shkelje esenciale në Kuvendin Zgjedhor.
E përveç kësaj, janë bërë edhe ankesa në tri institucione, Ministrinë e Administratës Publike, Ministrinë e Sportit dhe në Komitetin Olimpik të Kosovës.
Në shkresat që i ka siguruar thuhet se ka pasur shkelje esenciale të procedurave në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së.
“Të nderuar futbolldashës, në emër të delegatëve përfaqësues të klubeve të Këshillit për Reformë dhe Ndryshime Statutare në FFK, gjatë ditës së premte kemi dorëzuar Padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për anulim të vendimit të Kuvendit të FFK-së, për shkak të shkeljeve të mëdha të Statutit dhe Ligjit për OJQ në Kuvendin e zhvilluar më 27.01.2020.
Gjithashtu kemi dërguar ankesën në KOK, MKRS, MAP, përmes MAP-it kemi kërkuar që Agjensioni Anti Korrupsion të vlerësoj konfliktin e interesit për 17 delegatë të Kuvendit të FFK-së të cilët votuan për zgjedhjen e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, ndërsa janë edhe punëtorë të Federatës, trajner, kryetar e anëtarë të komisioneve, zyrtarë e kontrollorë të ndeshjeve në garat qe organizon FFK-ja të cilët janë emëruar nga Komiteti Ekzekutiv.
Për këto veprime kemi qenë të detyruar t’i ndërmarrim sepse janë më shumë se 30% e delegatëve të Kuvendit të FFK-së të cilët janë kontrabanduar në Kuvend nga Agim Ademi dhe grupi i tij, të cilët kanë konflikt të drejtpërdrejt interesi.
Nuk mund të merren vendime për futbollin e Kosovës nga mercenarët dhe zhvatësit e futbollit të cilët mbrojnë në Kuvend vetëm interesin e tyre, por jo edhe të klubeve. Ndërsa janë mbi 70% e përfaqësuesve të klubeve të cilët po kërkojnë reformë dhe ndryshime statutare.
Mercenaret e zhvatësit e futbollit nuk mund të kundërshtoj reformën dhe ndryshimet që po kërkojnë klubet. Klubet janë qeliza e FFK-së dhe ato duhet ta kenë fjalën kryesore, e jo mercenarët dhe zhvatësit e futbollit me konflikt te pastërt interesi.
Gjithashtu ju njoftoj se nesër kemi një deklaratë të përbashkët për media nga Këshilli Organizativ për Reformë dhe Ndryshime Statutare për të iu njoftuar për veprimet tona të mëtutjeshme për të vendosur futbollin tonë në binarë të zhvillimit, për tu liruar nga mercenarët dhe zhvatësit e futbollit tonë”, ka thënë Batatina për inFokus.
Më poshtë ju sjellë ekskluzivisht dokumentet e siguruara, ku shihet se Këshilli për Reformë dhe Ndryshime Statutare e ka paditur FFK-së në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe ka bërë ankesë në tri institucione.