Isa Mustafa flet para Këshillit tregon se kush e propozoi rritjen e numrit të ministrive
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur para 130 anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ku ka treguar se çka është dakorduar me VV-në.
Ai u ka thënë se, përveç Qeverisë, me VV-në janë marrë vesh që LDK-ja të përfaqësohet edhe në institucione si Kuvendi.
Po ashtu, Musatafa iu tha anëtarëve se me VV-në kanë biseduar edhe për çështjen e presidentit, e cila do të vendoset më vonë.
“Për çështjen e kryeparlamentarit jemi marrë vesh. VV-ja që i takon me Kushtetutë do të bëjë propozimin e kandidatit të LDK-së për kryetar të Kuvendit. Jemi marrë vesh për 15 ministri. Jemi dakorduar që çështja e presidentit t’i takojë dy liderëve dhe do të zgjidhet me vonë”, ka thënë Mustafa.
Lideri i LDK-së, ndërkaq, ka konfirmuar se numri i ministrive u rrit me kërkesë të kryeministrit të ardhshëm, Albin Kurtit, pasi ishte vlerësuar se më funksionale do të ishte me 15 se me 12.
“Sa i përket rritjes së numrit të ministrive, ajo është bërë me propozim të kandidatit për kryeministëri. Kemi vlerësuar se do të paguanim më shumë kosto me 12 ministri, sesa me 15 ministri funksionale”, ka shtuar Mustafa.
Ndërkohë, edhe Osmani shtoi pak më herët se rritja e numrit të ministrive nuk është ndonjë shkelje pasi, siç thotë ajo, bashkë me Kurtin ishin zotuar se numri mund të shkojë deri në 15.